“Unë i bie më të fortit e i këpus në mes, e Erioni Kolonjës t’i duket gjigant. Unë i bie vetë, nuk e bëj me porosi, me kënaqësinë më të madhe dhe në emër të popullit të Shqipërisë, sakrificave. Bastard, që kujton se mund ta kthejë Shqipërinë në laboratorë kavjesh”.

Kjo ishte gjuha që Ilir Meta përdori në konferencën për shtyp të së mërkurës. Për të gjetur një gjuhë të ngjashme të tij duhet të rikthehemi në fushatën për zgjedhjet në 2017-n, por edhe në atë kohë përveç toneve të ashpërsuara, përmbajtja ishte më e butë.

Retorika aktuale e përdorur prej tij më së shumti i përafrohet asaj të përdorur në 2011, kur i ndjeri Dritan Prifti i publikoi videon e famshme të 7 përqindëshit. Prifti e akuzonte Metën me pamje e zë si të përfshirë në afera korruptive.

Në fakt, në kurrizin e Presidentit ka një mori akuzash, që burojnë që nga fundi i viteve ’90 dhe fillimi mijëvjeçarit të ri, kur Meta ishte Kryeministër i vendit. Ai është akuzuar për grabitjen e floririt në Kërrabë dhe akuza është shqiptuar nga Sali Berisha, aleati i tij sot. Është akuzuar për shpërdorime me tenderat, për abuzime me ndihmat e ndërkombëtarëve, si dhe për aferën CEZ-DIA.

Në të gjitha këto raste, herë me qetësi e dashuri, e herë pa qetësi e dashuri dhe herë i mbrojtur nga Berisha, Ilir Meta ka dalë i larë. Ai ose nuk është hetuar, ose në gjykim, si në rastin e videos së Dritan Priftit ka dalë i pafajshëm në një proces ligjor të dyshuar si të manipuluar nga pushteti në atë kohë.

Të gjitha këtyre akuzave e dosjeve që ka mbi shpinë, i shtohet një e re; ajo e bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit. Meta e mohon, por populli thotë se ku ka zë s’është pa gjë dhe po të ndjekësh gjithë retorikën e ish-presidentit pas publikimit të dosjes nga ana e Autoritetit të Dosjeve, ajo të shton dyshimet.

Në fillim tha se I.M. për të cilin fliste Autoriteti nuk ishte ai, por një tjetër person. Pastaj tha se vetë personalisht njihte 40-50 I.M. Kur Autoriteti e përmendi me emër e mbiemër se I.M. për të cilën kishte dërguar kërkesën në Kuvend ishte pikërisht ish-Presidenti iu vërsul këtij institucioni duke e akuzuar për manipulim e kërcënuar me mbajtje përgjegjësie për këtë manipulim.

Socialistët u vunë në lëvizje në Kuvend dhe zyrtarizuan nismën ligjore për të hapur dosjet e personave që janë pajisur në mënyrë të dyshimtë me certifikata të pastërtisë së figurës. Meta është njëri prej tyre.

Pas kësaj, Meta gjoja sfidoi publikisht socialistët që t’ja hapnin direkt dosjen për të cilën flisnin, i bindur se ishte i pastër. Kjo sfidë, më shumë se seriozisht ishte sa për konsum mediatik. Meta e di që sipas ligjit dosjen që Autoriteti thotë se ka për të nuk mund të hapë asnjë përveç tij dhe personit që ka spiunuar, shokun e dhomës në universitet. Madje, këtë dosje s’mund ta hapë as vetë Autoriteti.

Meta dyshohet se ka spiunuar të Sigurimit i Shtetit planin e Filip Talos për t’u arratisur nga vendi para rënies së komunizmit. Plani dështoi dhe Talo përfundoi në duart e sigurimsave. Vetë Filip Talo e ka tërhequr dosjen në fjalë nga Autoriteti i Dosjeve. Po Meta pse nuk bën të njëjtën gjë, ta bëjë publike dhe t’u thotë shqiptarëve që I.M., për të cilin flet Autoriteti nuk është ai?

Në vend të kësaj, ish-Presidenti e mori krijesën e vet politike, LSI-në, i ndryshoi emrin dhe ka nisur një fushatë patriotike e referendare. Zotohet se do t’u kthejë shqiptarëve vendimmarrjen e flet për agjentura të huaja e politika antikombëtare që synojnë shpopullimin e Shqipërisë.

Nisur nga rrjedha e retorika që pasoi bërjen publike të dosjes së tij te Sigurimit i Shtetit, edhe në këtë rast patriotizmi i shprehur me gjuhë gati-gati nacionaliste është një mjet që Meta po e përdor për të arritur qëllimin, ndalimin e bërjes publike të dosjes që ka. Për këtë flet për uragane e qeveri teknike që në shtator, atëherë kur socialistët thonë se do të ndryshojnë ligjin për dosjet, duke hapur petët e byrekut për të.

Pra, ashtu siç shndërroi LSI-në në Parti të Lirisë, ashtu siç u zhvendos nga majtas në i gjithanshëm në programin politik, ashtu siç u shndërrua patriot, Ilir Meta është gati që të shndërrohet edhe në nacionalist. Prandaj, një ish-spiun i akuzuar për afera të mëdha korruptive nuk mund të quhet patriot. Ai mund të quhet nacionalist, nëse zgjedh që të shndërrohet edhe plotësisht si i tillë. Në këtë rast, një shprehje thotë: Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve!(Voxnews.al)