Miliona familje po përgatiten për një “katastrofë” dimërore të rritjes së faturave të energjisë në Britani. Ekspertët thonë se rritja e çmimit të energjisë me 80% do t’i zhysë njerëzit në varfëri dhe do të shkaktojë vdekje të pashmangshme, nëse do të mbesin pa mbështetjen urgjente të qeverisë.

Kjo do të thotë se me afrimin e dimrit, një faturë mesatare vjetore do të rritet në 3,549 £ nga tetori, e nxitur nga rritja e çmimeve të gazit me shumicë. Për më tepër, analistët e energjisë parashikuan se kufiri mund të rritet mbi 5,000 £ për tre muajt nga janari e tutje, pikërisht në kohën kur vjen moti më i ftohtë, duke e shtyrë akoma më shumë përdorimin e energjisë.

Rritja e faturave të konsumatorëve vjen pas rritjes së mprehtë të gazit me shumicë kryesisht për shkak të konfliktit në Ukrainë, i cili ka reduktuar furnizimet me gaz rus.

Peter Matejic, një analist kryesor në Fondacionin Joseph Rowntree, tha: “Në të gjitha vitet e mia si analist, nuk kam qënë kaq I kujdesshëm, duke kontrolluar dy herë analizat e mia, sepse është kaq tronditëse sa më duket sikur po gaboj. Është e pamundur të mendosh se një punonjës i kujdesit social ose një shitës dyqani do të duhet të luftojë që të gjejë qindra paund më shumë për të paguar ngrohjen, ose që të gjitha të ardhurat e dikujt për një vit të tërë, do të jenë më pak se sa fatura e tij e energjisë.

Marrë nga BBC dhe Financial Times