Revista amerikane për shoëbizz ‘Elle’ i ka kushtuar një artikull festivalit ‘Sunny Hill’ që u mbajt në Prishtinë. Artikulli i është dedikuar përpjekjeve që Dup Lipa po bën për Kosovën që të njihet në botë dhe është ndalur edhe në sloganin koncertit Set Me Free, që i është kushtuar liberalizmit të vizave për Kosovën.

Shkrimi i plotë:

Nëse mund ta dallonit Tokën nga udhëtimi retro galaktik në kopertinën e albumit ‘Future Nostalgia’ të Dua Lipës dhe do e zmadhonit drejt Evropës, pastaj në jug në Kroaci dhe më tej në zemër të Ballkanit, atje, në Prishtinë, Kosovë, në një natë të ëmbël vere në gusht, do të gjeni Dua Lipën në skenë—në shtëpi.

Është e mundur gjithashtu, të dëgjoni entuziazmin e turmës, energjinë në Parkun e Gërmisë, ndërsa performanca e Lipës riktheu Festivalin Sunny Hill pas pademisë COVID-19. Dua Lipa dhe festivali shërbejnë si kujtesë për të rinjtë kosovarë se e ardhmja është e tyre dhe se Lipa dhe bota mund t’i dëgjojë.

Kosova është vendi më i ri në Evropë. Ajo ka gjithashtu një nga popullsitë më të reja, nën 25 vjeç. Si pjesë e ish-Jugosllavisë, vendi pësoi një luftë të përgjakshme nga viti 1998 deri në 1999, duke fituar pavarësinë nga Serbia vetëm në vitin 2008.

“Kam një ndjenjë të fortë për luftën për shkak të prindërve dhe familjes sime,” thotë Diona Ahmetaj, 24 vjeç, e cila jeton në Prishtinë .“Ne pamë libra për masakrat, gjëra që nuk hiqen asnëjherë nga mendja. Sa herë që televizori jep momente nga lufta, i shihja prindërit e mi që gjithmonë e ndryshonin atë ose emocionoheshin.”

Si shumë të tjerë, familja e Lipës u largua nga Kosova para kulmit të luftës, duke u zhvendosur në Londër, ku Dua lindi në vitin 1995. Megjithatë, ajo dhe familja e saj u kthyen në Prishtinë kur Lipa ishte 13 vjeçe dhe ajo jetoi atje për dy vite, para se të kthehej në Londër për të ndjekur karrierën e saj.

“Është shumë e rëndësishme që fëmijët të mësojnë trashëgiminë e tyre,” më thotë zoti Lipa, “dhe unë dhe gruaja ime, ne e arritëm këtë.”

Ky fokus te familja dhe historitë që kalojnë brezat nuk i humbet rinisë së Kosovës. Teksa flisja me gjithnjë e më shumë me njëzet e ca vjeçare, vura re se sa shumë nga lidhja që ata ndjejnë me Lipën lidhet me faktin se, ashtu si ata, ajo është e afërt me familjen e saj dhe mësoi për luftën përmes asaj lenteje dashurie. Shumë e përmendën këtë si një nga arsyet e dhembshurisë së saj, aktivizmit dhe pse kur ajo flet për Kosovën, i vjen natyrshëm dhe nuk e mëson përmendësh nga tekstet që mund t’ia shkruajnë të tjerët.

“Ajo e kupton,” thotë Verona Hasangjekaj, 24 vjeç. “Të gjithë kemi prindërit dhe gjyshërit tanë që flasin për të kaluarën. Ata janë të hapur për këtë. Shpresoj të bëjmë të njëjtën gjë, të vazhdojmë të tregojmë histori, përndryshe kështu harrojmë.”

Natyrisht, lidhja që ndiejnë të rinjtë kosovarë me Lipën është edhe për shkak të talentit të saj muzikor, stilit elektrik dhe për shkak se si një vend afërsisht i madhësisë së Delaëare-it, ata kanë qenë gjithmonë të lidhur me të. Secili fans kujton se si e ka njohur Duan: Disa i referohen blogut të saj të fillimit të viteve 2000, cover-ave në YouTube ose kur ajo luajti në një reklamë të X Factor në Mbretërinë e Bashkuar. Të gjithë kujtojnë edhe koncertin e parë të madh të Lipës në Prishtinë në vitin 2016. Disa e njihnin atë personalisht.

Vjosa Zhubi, e cila është disa vite më e madhe se Lipa, u njoh me të përmes kushëririt të saj kur Lipa jetonte në Kosovë.

“Ajo ka qenë gjithmonë një fëmijë i pjekur”, thotë Zhubi. “Ajo mund të jepte mendime të pjekura dhe kishte këtë stil artistik. Pastaj edhe kur largohej, ajo mbante gjithmonë lidhje. Edhe tani, ajo pyet për të gjithë.”

Teksa Lipa doli në skenë me një set rozë– i cili ishte dizajnuar posaçërisht për festivalin dhe tërhoqi vëmendjen e gjerë mediatike – ajo u tha fansave në gjuhën shqipe, “Është një ëndërr e madhe për mua të jem këtu dhe të bëj këtë lloj festivali me familjen time, me miqtë e mi dhe me gjithë këta njerëz që më mbështesin kaq shumë. Faleminderit shumë të gjithëve. Faleminderit për këtë natë të veçantë.”

Sunny Hill është me të vërtetë një rast i veçantë. Është festivali më i madh muzikor në zonë dhe arriti një shitje rekord biletash këtë vit.

“Kam pritur për Sunny Hill për dy vjet,” thotë Vesa Mehmeti, 18 vjeçe, me buzëqeshjen e saj të ndritshme sa shkëlqimi i syve të saj. “Ne nuk kemi asgjë tjetër të tillë.”

Mundësia për të marrë pjesë në një festival në shtëpi nderohet edhe më shumë sepse për shkak të çështjeve të jashtme gjeopolitike që rrethojnë statusin e Kosovës si shtet; Kosovarët mund të vizitojnë vetëm gjashtë vende pa aplikuar për vizë. Kjo mungesë e liberalizimit të vizave kufizon mundësitë e udhëtimit dhe arsimimit. Shumë njerëz kanë histori të aplikimeve të dështuara për viza. Ata përshkruajnë ndjenjën e izolimit sikur të jetonin në një ishull.

Familja Lipa e njeh këtë çështje, si dhe faktin që Dua Lipa përfitoi nga pasaporta e saj në Mbretërinë e Bashkuar, dhe po luftojnë për ndryshim. Këtë vit, ata nisën fushatën #SetMeFree krahas festivalit, i cili kërkon mbështetjen e BE-së për t’u dhënë kosovarëve lirinë për të lëvizur. Byzylykët dhe sfondet e fotografive përreth ambienteve të festivalit shfaqnin hashtag-un #setmefree.

Përpjekjet e Dua Lipës u vlerësuan nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kur ajo i dha Lipës titullin Ambasadore Nderi në fillim të këtij muaji. Osmani falënderoi Lipën që “përdor zërin dhe talentin e saj të jashtëzakonshëm, jo ​​vetëm për t’i ofruar botës këngë që lënë gjurmë, por edhe për të paraqitur imazhin më të mirë të Kosovës në mbarë botën”.

Në një konferencë për media disa orë para performancës së saj në Sunny Hill, Lipa foli për dëshirat e saj për të rinjtë kosovarë. “Dua të dërgoj dashuri për të gjithë rininë e Kosovës dhe dua të them se sado e madhe të jetë ëndrra juaj, ju mund të arrini gjithçka që dëshironi, nëse e keni ndarë mendjen. Jam këtu për t’ju mbështetur në çfarëdo mënyre.”

Megjithatë, më kuptimplotë se fjalët e saj është fakti që të rinjtë kosovarë në terren ndjejnë një lidhje me të, një fuqi dhe shpresë që rrezaton prej saj.

“Ajo e ka atë zemër të ngrohtë,” thotë 23-vjeçari Edi Demiri, dritat dhe muzika rrotullohen pas saj, ngrohtësia e saj shkëlqen, “Unë mendoj se ajo na përfaqëson të gjithëve.”