Ai ka lindur në Belgjikë dhe ka hedhur hapat e para në fushat e futbollit në qytetin e Brukselit. Për Kevin Shkurtin ishte e thjeshtë të përfshihej në botën e futbollit që në moshë të vogël pasi kishte talentin dhe dëshirën për t’u bërë një futbollist profesionist.

Djaloshi me origjinë nga Shkodra, i cili sapo ka mbushur 18 vjeç dhe luan në rolin e mesfushorit, debutoi me fanellën kuqezi këtë vit duke u bërë pjesë e Kombëtares U-19, ku spikati menjëherë me paraqitjet e tij duke vendosur kandidaturën për një vend titullari. Edhe pse kishte luajtur me ekipet kombëtare të moshave të Belgjikës më parë, Kevin nuk u mendua aspak kur mori ftesën nga FSHF dhe pranoi menjëherë.

Në intervistën e dhënë për Fshf.org, Shkurti tregon gjithçka për karrierën e tij të deritanishme, momentet më të bukura, idhujt e futbollit dhe për objektivat që ka në të ardhmen me klubin belg të Leuven.

– Kevin, si ka nisur për lidhja me futbollin? Kush është njeriu që ju ka shtyrë drejt këtij sporti?

– Me futbollin kam nisur të merrem që në moshën 5-vjeçare. Ka qenë babai ai që më shtyu të merresha me këtë sport, ngaqë edhe vetë ai e ka ushtruar dhe është një pasionant i madh i futbollit. Në këtë moshë ka nisur të luajë me ekipet e moshave të zonës ku jetoj dhe më pas gradualisht erdhën duke u rritur pretendimet.

– Çfarë ju shtyn që të rriteni edhe më shumë në këtë profesion?

– Jam nxitur gjithmonë nga dëshira e madhe që kam për t’u bërë një futbollist me emër për të nderuar veten, familjen dhe vendin tim.

– Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?

– Dy prindërit e mi të cilët kanë sakrifikuar dhe më kanë mbështetur shumë që nga dita e parë kur e kam nisur këtë sport dhe deri më sot. Ata vazhdojnë të më mbështesin edhe sot e kësaj dite me të njëjtën dëshirë.

– Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga ekipet kombëtare shqiptare?

– Patjetër, jam ndjerë shumë krenar në atë moment kur më erdhi ftesa nga kombëtarja shqiptare. Ndonëse kisha provuar të luaja edhe me ekipet kombëtare të moshave të Belgjikës, ndjesia për të përfaqësuar fanellën kuqezi ka qenë e veçantë dhe do të jetë një moment i paharrueshëm.

– Çfarë mund të veçoni deri më tani nga jeta juaj futbollistike? Ka një arritje për të cilën jeni krenar?

– Arritja ime më e madhe ka të bëjë me faktin që prej 8 vitesh jam pjesë e ekipit OH Leuven dhe tashmë para pak kohësh kam firmosur edhe të parën kontratë profesioniste me këtë klub që merr pjesë në Superligën belge. Është sigurisht një hap shumë i rëndësishëm në karrierën time dhe ndihem mirë që pas një punë të gjatë kam arritur objektivat e mia.

– Sa i rëndësishëm është goli për ju? Ka ndonjë gol që nuk e harroni?

– Goli është i rëndësishëm për çdo futbollist. Por goli që nuk do të harroj kurrë është goli i parë me fanellën e kombëtares shqiptare të moshës U-19 në ndeshjen miqësore që zhvilluan në Podgoricë ndaj Malit të Zi pak kohë më parë. Ai gol më ka dhuruar një ndjesi thjeshtë fantastike.

– Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull. Po lojtari i huaj?

– Lojtari shqiptar që më ka motivuar gjithmonë ka qenë ish-kapiteni i famshëm, Lorik Cana, për grintën dhe shpirtin e garës që shfaqte në fushën e lojës. Një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë ne. Nga lojtarët e huaj, padyshim që mundohem të motivohem nga mesfushori italian, Marco Verratti.

– Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll?

– Qëllimi im primar është të luaj titullar me ekipin e parë të OH Leuven në Superligën belge dhe nëse do të arrij këtë gjë, kuptohet do të synoj njëkohësisht të jem edhe titullar edhe me Kombëtaren shqiptare.