Dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin në dokumente dhe targat ilegale nuk do të diskutohen në takimin e 18 gushtit në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Qeveria thotë se vendimet i përkasin institucioneve të Kosovës dhe janë të parapara edhe në marrëveshjet e kaluara të Brukselit, ndaj “nuk mund të jetë temë e diskutimit”. Megjithatë, Kosova nuk ka dhënë ende detaje për temat dhe agjendën e bisedimeve më 18 gusht në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të zhvillojnë më 18 gusht raundin e ri të bisedimeve në kuadër të Dialogut. Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e BE-së. Dialogu ka për synim normalizimin e raporteve. Kosova insiston se dialogu duhet të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi.