Shqipëria mikpriti për herë të parë edicionin e parë të “LAS Festival” në plazhin e Velipojës.

Në festivalin unik të skulpturës së rërës si një risi për vendin tonë, morën pjesë artistë ndërkombëtarë që performuan me krijimin e objekteve në rërë.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga ky festival duke uruar një fundjavë të mbarë me shpirtin artistik edhe në rërë të Velipojës.

Festivalet e skulpturës në rërë janë evente arti që zhvillohen çdo vit në bregdete të ndryshme anembanë botës.

Artistët ndërkombëtar pjesëmarrës në këtë Festival Arti zhvillojnë aktivitetin e tyre artistik kudo në botë, dhe kanë eksperienca të shumta në festivale dhe evente të këtij lloji.

Qëllimi i këtij eventi është promovimi dhe rigjallërimi i plazhit të Velipojës që synon të afrojë sa më shumë turistë nga vende të ndryshme duke e shndërruar atë në një atraksion në rritje.

Gjithashtu, ky festival ka si synim shkëmbimin e vlerave kulturore, artistike në hapësirat kombëtare dhe ndërkombëtare, nëpërmjet përfshirjes së artistëve të shumtë, duke ndihmuar dhe në bashkëveprimin mes brezave.

“LAS Festival” i cili ka nisur me datë 24 gusht dhe që vijon edhe sot u organizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjen.