Pas takimit me kampionen e Europës në atletikë, kryeministri Edi Rama është takuar me Florian Markun, boksierin që synon t’i japë Shqipërisë një tjetër fitore. Rama thotë se synon gjerdanin e madh të kampionit të kategorisë sipërore të WBC, gjë të cilën e ka konfirmuar dhe vetë Marku në daljet e tij publike.
“I nderuar nga vizita e një tjetër ylli të sportit shqiptar, superstarit të ringut Florian Marku, që pasnesër, të enjten 25 gusht, synon në Air Albania Arena gjerdanin e madh të kampionit të kategorisë sipërore WBC”, shkroi Rama.
Në një bisedë me Florian Markun, të cilin e priti në zyrën e tij në kryeministri, Rama nuk kurseu batutat ndërsa mori disa dhurata simbolike. Kryeministri sqaroi se nuk do të jetë në ndeshjen e 25 gushtit, por i ftoi të gjithë që të shkojnë për të mbështetur boksierin shqiptar. Nuk kurseu një koment për ‘ata që duan të bëjnë boks, por nuk dinë’ duke thënë se duhet që të paktën të shohin.
Rama: Më ke sjellë ndonjë palë doreza boksi apo jo?
Marku: Të kam sjellë një dorezë të vogël të firmosur, janë 2 ftesa dhe të pres. Është simbolike.
Rama: Të enjten me 25 gusht, nuk jam fizikisht këtu, por duhet të shkoni të mbështesni Florianin. Është WBC me një nga Meksika. O me Florian Markun, o me meksikanin. Nuk ka rrugë të mesme. Do jetë spektakël, por janë 10 ndeshje para spektaklit. Të vrapojmë të marrim biletat se kemi miq që duan të bëjnë boks. Nuk bëjnë dot, por të paktën të shohin.