“Shumica e njerëzve jetojnë të zhytur në dëshpërim”. Kështu shkruante në vitin 1854 shkrimtari amerikan Henry David Thoreau. Ky është edhe fati i Vladimir Putinin teksa po përpiqet që t’i shpëtojë kurthit me pasoja katastrofike që i ngriti vetes me luftën që nisi Ukrainë.

Presidenti i Rusisë, këmbëngul në emërtimin e tij “operacioni special ushtarak”. Por ngërçi i pacaktuar në kohë në këtë cilën ka hyrë kjo luftë, nuk është ajo që priste. Ai nuk priste as sulmet me autobomba në Moskë, apo edhe sulme poshtëruese ndaj bazave ushtarake në Krime.

Mbi të gjitha, Putini nuk mendoi se deri tani do të kishte 80.000 ushtarë rusë të vdekur ose të plagosur. Vdekja, së bashku me ta, është ëndrra e tij e Pjetrit të Madh për një “Rusi më të madhe”. Reputacioni i tij, ashtu si çdo gjë tjetër, përveç atij si vrasës dhe diktator, është prishur tashmë”.

Një “moçalishte ushtarake e pafundme”, nuk është një skenar që Putini ka luksin ta përballojë. Kjo pasi sanksionet perëndimore po e gërryejnë dalëngadalë ekonominë ruse, dhe fuqia njerëzore dhe materiali i ushtrisë së tij po shterohen në mënyrë të vazhdueshme. Atëherë cilat janë opsionet që ka ai në dispozicion?

Putin mund të shpallë një fitore të rreme, të pretendojë se është neutralizuar “kërcënimi” i NATO-s, dhe të propozojë një zgjidhje që parashikon aneksimin e zonave të pushtuara tashmë nga Rusia. Por ai me siguri e di se Kievi nuk do t’i pranojë kurrë me dëshirë kushte të tilla.

Ai mund të vërë bast tek rezultatet e një përshkallëzimi të madh të situatës në fushëbetejë, duke përdorur për shembull Bjellorusinë për të hapur një front të dytë në veri të Kievit, rajonin që ai nuk arriti ta pushtojë dot në shkurt. Por është e pasigurt nëse gjeneralët e tij kanë aftësinë apo vullnetin për ta bërë një gjë të tillë.

Sigurisht, ai nuk guxon që të tërhiqet nga kjo luftë. Prandaj, ndërsa shtohet presioni ndaj tij për të prodhuar një lloj përparimi në këtë luftë, Putini mund të vendosë që alternativa e tij më e mirë është të rrisë koston e luftës për mbështetësit e Ukrainës, dhe kësisoj të dobësojë rezistencën e Kievit.

Në fakt, ai ka filluar tashmë ta bëjë diçka të tillë. Është e qartë se udhëheqësit britanikë, francezë dhe gjermanë shpallën njëzëri mbështetjen e tyre afatgjatë për Ukrainën javën e kaluar. Ata e dinë se Putini po vë bast se do të përçahen.

Konteksti është ankthi në rritje në lidhje me krizën e energjisë dhe koston e jetesës në Evropë, të shkaktuara këto kryesisht nga pushtimi i Ukrainës, dhe reduktimi që Kremlini u ka bërë eksporteve të gazit drejt Evropës. Pasojat e dimrit nga kjo lloj lufte e ftohtë mund të jenë shumë të rënda.

Megjithatë, për Putinin ky mund të jetë vetëm fillim. Kjo pasi ai zotëron shumë mjete, përmes të cilave mund ta dobësojë unitetin perëndimor dhe fuqinë e tij të qëndrueshme. Evropa është plot me vatra të ndezura, që mund të shfrytëzohen lehtësisht dhe me defekte gjeopolitike të trashëguara që nga epoka sovjetike.

Po ashtu, Rusia ka një numër befasues aleatësh dhe simpatizantësh të saj, të shpërndarë nëpër një peizazh evropian shumë të fragmentuar politikisht. Pra, a do ta ndihmojnë miqtë në Perëndim që të shpëtojë “bishën” që vjen nga lindja ? Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko është tashmë në “xhepin” e Putinit.

Moska siguroi mbijetesën e tij në pushtet, kur manipulimi prej tij i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 provokoi protesta mbarëkombëtare. Lukashenko do të bëjë ashtu siç i është thënë nga Kremlini. Brenda BE-së, kryeministri i Hungarisë, Victor Orban shihet si “Kali i Trojës” i Putinit.

Ashtu si shumë të tjerë nga e djathta ekstreme e Evropës, Orban e admiron ideologjinë e tij nacionaliste intolerante dhe ndan pikëpamjen e tij raciste dhe homofobike. Ai i ka penguar vazhdimisht sanksionet e BE-së. Dhe muajin e kaluar nënshkroi një marrëveshje të njëanshme me Kremlinin për importin e gazit rus. Pra Orban nuk mund t’i besohet në lidhje me Rusinë.

Rrëzimi në qershor i qeverisë reformiste në Bullgari, dhe negociatat pasuese për riparimin e marrëdhënieve me Moskën, po ushqejnë shqetësimin se Putini po fiton mekanizma ndikues për të përçarë BE-në. Edhe Italia ka shumë fansa të Putinit. Udhëheqësit e dy partive të ekstremit të djathtë, që pritet të bëhen bashkë në një koalicion qeverisës pas zgjedhjeve të muajit të ardhshëm, kanë pasur ndër vite lidhje të ngushta me Moskën.

Madje Lega e Matteo Salvinit krijoi në vitin 2017 një aleancë me partinë e Putinit, Rusia e Bashkuar. Kreu i Forza Italia Silvio Berlusconi është një mik personal i Putinit. Kryeministri i rrëzuar tashmë, Mario Draghi, mbajti një qëndrim të ashpër ndaj Ruisë për pushtimit të Ukrainës.

Por qasja e tij mund të ndryshojë. Parti të tjera populiste të ekstremit të djathtë (dhe të majtë) evropiane identifikohen në shkallë të ndryshme me ideologjinë Putiniste dhe vlerat sociale konservatore. Ato i bëjnë jehonë armiqësisë së tij ndaj BE-së.

Një studim i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë në vitin 2016, i klasifikoi si “pro-ruse” partitë Alternativa për Gjermaninë, Fronti Kombëtar në Francë (Tubimi Kombëtar), Partinë e Lirisë në Austri dhe Vlaams Belang në Belgjikës. Në këtë listë u përfshi edhe partia e Britanisë së Pavarur (UKIP), protagonistja kryesore e daljes së vendit nga BE-ja.

“Palët… po ndihmojnë në legjitimimin e politikave të Kremlinit dhe e përforcojnë fushatën ruse të keqinformimit. Ndonjëherë ato mund të zhvendosin në favor të Rusisë debatet e brendshme të Evropës”- thekson studimi. Në botën e Putinit, kanale të tilla ndikimi janë armë shumë të fuqishme.

Ndërkohë Putin mund të mbështetet edhe tek politikanët kryesorë që nuk i përkasin bllokut evropian, si presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic. Ai etiketohet nga kundërshtarët si “Putini i Vogël”. Serbia ka lidhje të thella historike, sllave dhe fetare me Rusinë, dhe për më tepër një mosbesim të përbashkët ndaj NATO-s.

Bombardimi i aleancës ndaj Beogradit në vitin 1999 nuk është harruar. BE-ja dhe Britania e Madhe druhen se Ballkani Perëndimor i paqëndrueshëm, gjendet në një pikë kritike presioni, të cilën Putini mund ta përdorë për të nxitur konflikte të vjetra, me synim largimin e vëmendjes nga Ukraina.

Një rast i tillë është Kosova, një vend ku po shfaqet sërish propaganda etnike serbe. Javën e kalar Vucic kërcënoi paqeruajtësit ndërkombëtarë me ndërhyrjen e ushtrisë serbe. “Nëse NATO nuk dëshiron ta bëjë këtë, ne do ta shpëtojmë popullin tonë nga persekutimi dhe masakrat”- tha ai.

Udhëheqësit serbë të Bosnjes me lidhje të ngushta me Moskën, po kërcënojnë gjithashtu me përçarje të reja në Bosnje Hercegovinë. Bosnja i është bashkuar refuzimit të Serbisë ndaj sanksioneve “histerike” perëndimore. Në mars, çiklistët serbo-boshnjakë pro-Putinit “Ujqërit e natës” organizuan një tubim pro pushtimit.

Moldavia dhe Gjeorgjia, me popullsi të ndarë dhe trupa ruse në tokën e tyre, janë gjithashtu vatra të mundshme konfliktesh të reja. Një tjetër zonë është Kaliningradi, ku Putin vendosi raketa hipersonike këtë muaj për të frikësuar fqinjët e NATO-s. Një objektiv i mundshëm është sidomos Estonia, me pakicën e saj etnike ruse të konsiderueshme.

Përpjekjet e Putinit për të përhapur frikë, destabilitet, përçarje dhe kosto ekonomike – duke i bërë vendet të mendohen dy herë para se t’i kundërvihen Rusisë – shtrihen përtej Evropës. Vetot e tij e kanë bllokuar Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Tani, ai dhe presidenti kinez Xi Jinping do ta kthejnë samitin e rëndësishëm të G20 në nëntor në Bali të Indonezisë në një përballje të fortë midis Perëndimit dhe të tjerëve në lidhje me luftën në Ukrainë. Dhe kjo pavarësisht se i gjithë argumenti i Rusisë bazohet mbi një gënjeshtër.

Sjellja e pamatur e Putinit në termocentralin bërthamor të pushtuar të Ukrainës në Zaporizhzhia, tregon se ai do të rrezikojë pothuajse gjithçka për të fituar. I dëshpëruar dhe i izoluar, do të bëhet më i rrezikshëm nga dita në ditë…