Pyetjes pse Shqipëria ka më shumë vrasje se Kosova, disa do e logjikonin pokitikisht duke u përgjigjur:
Shqipëria ka shtet më të dobët, se Kosova.

Por kjo nuk është 100% e saktë, sepse shqiptarët e Shqipërisë kryejnë vrasje jo vetëm në Shqipëri.
Sipas një studimi që kam kryer 5 vitet e fundit, 87% e vrasjeve që janë kryer nga shqiptarët në Europë janë nga Shqipëria, ndërsa 13% janë pjesa e mbetur nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Presheva.
Pra shqiptarët e Shqipërisë shfaqin agresivitetin e tyre njësoj si brenda Shqipërisë, ku shteti është i dobët, po ashtu dhe jashtë kufijve ku shteti dhe qeveritë janë të forta (Gjermani, Itali, Hollandë, Angli, Francë, Belgjikë, Spanjë).
Vrasje kryejnë si ata që kanë 3 ditë në emigracion, por edhe ata që kanë 30-vjet atje.
Po pse një komb i ndarë në pesë pjesë ka filluar të shfaqë karakteristika tipare të ndryshme sociale?
Ka disa faktorë që ndikojnë:

– politikë

– socialë

– ekonomikë

– juridikë

120-vite të ndarë në sisteme dhe regjime të ndryshme kanë deformuar karakterin dhe tiparet e përbashkëta.
Shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve shtetërorë janë më pak të shkolluar, por janë shumë më të edukuar, të sjellshēm dhe më puntorë.
Sistemi komunist, 45-vite në Shqipëri e shkatërroi pronën private dhe asimiloi shumë vlera sociale.
Tentativa komuniste për të krijuar njeriun e ri ishte një dështim total. Pjesërisht krijuan një monstër.
Aq larg shkoi marrëzia, sa u shpallëm vendi i parë ateist në botë.
Familja shqiptare nuk i mbijetoi dot tranzicionit post-komunist.
Mjafton t’i referohesh vrasjeve brenda familjes në Shqipëri dhe të kuptosh se kemi të bëjmë me një “luftë” brenda Shqipërisë
Shqiptarët e Shqipërisë po përjetojnë një çerek shekulli depresion.
Më shumē probleme psiqike kanë shqiptarët e Shqipërisë që kanë jetuar në paqe, sesa shqiptarët e Kosovës që dolën nga lufta, genicidi, shfarosja, përdhunimet etj.
Tiparet kriminale dhe tipologjia e vrasjeve në Shqipëri i përngjan kryesisht vrasjeve barbare që kryehen në Meksikë, Guatemalë, Brazil apo El Salvator, por me një ndryshim. Në Amerikën Latine, kryesisht bandat e kanë një motiv vrasjeje, që është pasurimi nëpërmjet grabitjeve, pengmarrjeve, gjobave etj. Ndërsa shqiptarët e Shqipërisë vrasin pa motiv:

– për një parking

– për një shikim shtrembër

– për një dashnore

– për një karikues celulari

– për një rubinetë çezme

– për një çadër plazhi

– për një radhë biletash

– për një volum muzike

– për një koment në Facebook

Për të gjitha këto arsye, një ekspert i kriminalistikës në Hamburg do i krahasonte vrasësit e shqiptarëve të Shqipërisë, njësoj me elementë kriminalë nga Çeçenia, të cilët kryjenë vepra penale pa motive.
Natyrisht, në këtë histori, pjesën e përgjegjësisë e ka shteti, policia, prokuroria dhe gjykatat, për rastet e vrasjeve në Shqipëri.
Rrugët e Shqipërisë janë mbushur plot rrugaçë dhe halabakë.
Kjo kategori duhet frenuar që në embrion, në të kundërt ata marrin krahë dhe mburren pas disa vitesh në vrasës.
Një shtet i fortë e nuhat me erë ata individë që kanëprirje kriminale. Kërbaçi i shtetit fillon pa mbërritur te vrasja.
Gjithsesi, kriza që po kalon Shqipëria këto 32-vite, padyshim i përngjan një lufte.
Shqipëria “demokratike” ka sot më shumë të vrarë se Kosova e luftës me Serbinë.
Në Kosovë gjatë luftës u vranë 10.782 shqiptarë.
Në Shqipërinë demokratike janë vrarë 2-fish.
Në Kosovë gjatë gjithë vitit 2022 janë vrarë vetëm 13 persona.
A na e kanë fajin ne në Shqipëri qeveritë që kemi votuar apo trutë e kokës që luftojmë me njëri-tjetrin?
Përgjigjen merreni duke krahasuar shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve nën regjimin juridik dhe politok të qeverive që s’kanë votuar.
Këtu kam parasysh subjektet e veprave penale.
Çuditërisht ata sillen njësoj me pistoletë në mes Londrës, sikur janë në Fushë-Krujë!