Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj do kryeje një vizitë zyrtare në Kosovë, që do të jetë vizita e parë jashtë shtetit që prej marrjes së mandatit si president.

Begaj mbërrin të hënën në Kosovë me ftesë të presidentes Vjosa Osmani, e cila në orën 10:00, do ta presë presidentin me ceremonitë më të larta shtetërore, në sheshin “Ibrahim Rugova”, në Prishtinë.

Sipas njoftimit, mediat duhet të jenë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës në orën 09:15.

“Pas ceremonisë së pritjes, presidentja Osmani Sadriu zhvillon takim me presidentin e Begaj, si dhe në fund të takimit do të kenë deklaratë të përbashkët për media”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Bajram Begaj mori detyrën më 24 korrik përmes betimit në Kuvend dhe ceremonisë në Presidencë. Begaj mori besimin e shumicës së deputetëve në Kuvend për të qenë Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë. Në seancën parlamentare të 4 qershorit 2022, Begaj u zgjodh President i ri i Shqipërisë me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim (83 deputetë morën pjesë në votim).