Sherret dhe diss-et midis Arkimed Lushës (Stresit) dhe Rigels Rajkut (Noizyt) i përkasin të shkuarës!

Nëpërmjet dy videove live në llogaritë e tyre në Instagram, Noizy dhe Stresi informuan fansat në 2021 se kanë bërë më në fund paqe dhe kanë falur njëri-tjetrin.

Më 14 gusht, reperët performuan krah njëri-tjetrin në Alpha Show.

Mirëpo një kthim mbrapa në kohë, këto ditë me Stresin dhe Noizyn të përqafuar para qindra personave dukeshin të pamundura. Para 12 viteve, përplasjet midis grupeve OTR të Noizyt dhe TBA të Stresit, ishin diçka e zakonshme.

Pjesë e armiqësisë së tyre ishin edhe fansat e grupit përkatës, të cilët jo pak herë janë “therur” me njëri-tjetrin.

Një rast fatal ishte ai i 28 prill 2010 pranë gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, ku u masakrua me 11 thika në trup Denis Dollapi.

Ky i fundit ishte fans i flaktë i Stresit. Grindje midis fansave të lindura prej rivalitetit të dy grupimeve muzikore hip-hop, “OTR” dhe “Butusi”, rezultuan fatkeqe për 19-vjeçarin asokohe Dollapin, i cili pas plagëve të marra vazhdon të jetë në gjendje kome.

Referuar hetimit gjyqësor të bërë në atë kohë, Denis Dollapi, përkrahës i grupimit muzikor “Butuesi”, i njohur si mbështetës i reperit “Stresi”, ishte rrahur nga disa djem të grupimit kundërshtar “OTR”, mbështetës i reperit “Noizy”.

Ditën e ngjarjes ai kishte kontaktuar një prej djemve të “OTR”-së, i njohur si “Infiniti”. Sipas prokurorisë, Dollapi i kishte thënë Infinitit të thërriste shokët e tij dhe të sqaroheshin.

Teksa prisnin në një ngushticë pranë “17 Nëntorit”, një e thirrur me zë të lartë “mos e lëshoni Denis Dollapin” u pasua me një grumbull të rinjsh të dhunshëm të armatosur me thika, kaçavida dhe shufra hekuri, që e vendosën të dëmtuarin Dollapi në qendër të sulmit.

Vetë i dëmtuari Denis Dollapi nuk mundi në atë kohë të japë deklarime gjatë hetimit apo dëshmi në gjykim për shkak të gjendjes së tij tepër të rënduar shëndetësore.