Pa kaluar 24 orë nga arritja e marrëveshjes për dokumentet identifikuese, ku Serbia pranoi dokumentet kosovare për lëvizjen e lirë mes dy vendeve, kryeministri i Kosovës Albin Kurti shprehet optimist edhe për një tjetër marrëveshje të vështirë, atë të targave. Duke folur për BBC, Kurti thotë se shpreson që të arrihet një dakordësi brenda tetorit.

“Ne kemi pas bisedime ne Bruksel që nuk kanë qenë të lehta por rezultatet janë të kënaqshme sepse tani kemi reciprocitet mes Kosovës dhe Serbisë, në kuptimin e lëvizjes së lirë, për qytetarët e të dyja vendeve Shpresoj që deri në tetor s’do të shohim automjete me targa që s’janë valide”, tha Kurti.

Kurti ka falënderuar Shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell dhe të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar për punën e bërë për dialogun Kosovë-Serbi.

“E falënderoj Borrellin, Lajçak dhe Escobar për punën e zellshme në Prishtinë dhe Beograd, në të njëjtën kohë i falënderoj qytetarët e Kosovës për mbështetjen”, tha më tej kryeministri i Kosovës.

Një komet e pati edhe për tensionet në veri të Kosovës para se të arrihej marrëveshja. Kurti tha se “janë bindur të gjithë se çfarë kemi bërë nuk është ilegale”.

Kosova dhe Serbia arritën një ditë më parë marrëveshje për dokumentet identifikuese. Serbia i ka njohur dokumentet e Kosovës duke sjellë që qytetarët do të udhëtojnë lirshëm duke përdorur dokumentet e tyre. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, për Politikën e Jashtme Josep Borrell njoftoi se sipas Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për qytetarët e Kosovës, çka solli që edhe kryeministri Albin Kurti të mos vendosë masën e reciprocitetit për qytetarët serbë, ndonëse kishte paralajmëruar që do të vihej më 1 shtator nëse s’do arrihej marrëveshje.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat konsiston në riregjistrimin e makinave që përdorin targa të lëshuara nga Serbia. Qeveria ka argumentuar se qytetarët do të kenë afat prej dy muajsh për t’i riregjistruar makinat në targa RKS- Republika e Kosovës. Serbia ka propozuar që serbët në veri të pajisen me targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës, por Kurti ka hedhur poshtë këtë propozim.