Një shqiptar ka rënë në pranga në Itali, ndërkohë që është sekuestruar një sasi droge. 700 gramë kokainë dhe 300 mijë euro të sekuestruara.

Ky është bilanci i një operacioni kompleks antidrogë të njësisë hetimore të karabinierisë së Vicenzës, që çoi në arrestimin e Anton Likmeta, 35-vjeçari shqiptar, tashmë i njohur për policinë, që mendohet se ka qenë shefi i rrjetit të kokainës. Ndërkohë që pas hetimit që nisi në vitin 2021, mësohet se partnerja e tij rumune, një 37-vjeçare, jepte ndihmën logjistike për pastrimin e parave.

Në vazhdën e hetimeve, policia arriti të përcaktonte edhe rrugën e ndjekur nga shumat e mëdha të parave, rezultat i veprimtarisë së trafikut të drogës. Mësohet se kjo shumë e madhe eurosh, transportohej drejt Rumanisë, ndërsa futeshin në institucionet bankare rumune, për të penguar konkretisht identifikimin e origjinës së paligjshme të parave. 35-vjeçari, pronar i një sipërmarrjeje individuale për tregtimin e makinave luksoze (Porche, Maserati…), përdorte paratë e “pastra” në Itali për të financuar aktivitetet e tij sipërmarrëse.
Gjatë kontrollit, në banesën e tij u gjetën rreth 670 gramë kokainë, 15 gramë hashash dhe 43 200 euro cash.

Likmeta u arrestua në flagrancë dhe ndaj pasurisë së çiftit u bë edhe sekuestro parandaluese. Qershorin e kaluar, karabinierët e grupit hetimor kanë kryer masën duke përgjuar dhe sekuestruar shumën shtesë prej 255 mijë eurosh në llogarinë rrjedhëse në emër të gruas së sapo kishte ardhur nga Rumania.