Udhëheqësit e Estonisë dhe Finlandës u janë drejtuar sot vendeve anëtare të BE me thirrjen që të bllokojnë lëshimin e vizave turistike për shtetasit rusë, të cilët po shmangin ndalimin e fluturimeve duke kaluar tranzit nëpër vendet e tyre.

Linjat ajrore ruse janë ndaluar të fluturojnë në Evropë që nga pushtimi i Ukrainës, por qytetarët e saj janë ende në gjendje të udhëtojnë me viza Shengen nëse kalojnë fillimisht në bllok me rrugë tokësore.

Kaja Kallas, kryeministrja e Estonisë, tha se tashmë është “koha për t’i dhënë fund turizmit nga Rusia”.

“Ndaloni lëshimin e vizave turistike për rusët. Të vizitosh Evropën është një privilegj, jo një e drejtë njerëzore. Udhëtimi ajror nga Rusia është mbyllur. Kjo do të thotë se ndërsa vendet e Shengenit lëshojnë viza, fqinjët me Rusinë mbajnë barrën (Finlanda, Estonia, Letoni, pikat e vetme të hyrjes)”, shtoi ajo.