Nottingham Forest nuk e ka ndërmend të ndalet në këtë merkato vere. Pasi kanë bërë më shumë se 15 afrime, mes tyre dhe Jesse Lingard e Morgan Gibbs-White, të kuqtë janë shumë pranë firmës edhe me mbrojtësin e Atletico Madrid, Renan Lodi.

Ashtu sic raporton eksperti i merkatos, Fabrizio Romano, Renan Lodi do të jetë lojtari më i ri i klubit legjendar Nottingham Forest. Braziliani do të transferohet në formulën e huazimit me të drejtë blerje.

Fillimisht, huazimi 1-vjecar do t’i kushtojë Nottingham Forest vetëm 5 milionë euro, ndërsa e drejta e blerjes, është për 30 milionë euro. Një transferim që mund të arrijë në shumën e 35 milionë eurove, pa përfshirë bonuset.

Nottingham Forest e ka nisur sezonin shumë mirë në Premier League pas rikthimit në elitë pas më shumë se 23 vitesh. E me përforcime cilësore si Renan Lodi e të tjerë, objektivi i tyre është i qartë: Qëndrimi në elitë!