Nga Altin Ketro

“Mirë kali që na ngordhi, po s’të lënë rehat as mizat!” Kjo, në fakt, është një shprehje popullore që figurativisht i shkon situatës së aktualitetit politik, shprehje e cila, fjalë për fjalë, përkthehet: Mirë gjykata që nxjerr nga burgu pjesëtarë të krimit të arrestuar nga policia, por s’të lë rehat as opozita që mezi pret ngjarje të tilla për të bërë tabelë qitje Policinë e Shtetit.

Nuk ka bërë vaki të ndodhi një vrasje që Berisha e Meta sot, e Basha dje, bashkë me gjithë shpurat që i rrethojnë, të mos kenë të njëjtin refren: “Policia e Shtetit është aleate e krimit”; “Policia e Shtetit mbledh vetëm gëzhojat”; “Policia e Shtetit është paaftë”; Policia e Shtetit është kështu e ashtu, pra një mijë të zeza sipas tyre, e asgjë të bardhë.

Po pse more nuk kërkoni së pari zbulimin dhe arrestimin e autorëve të ngjarjes kriminale dhe dënimin më të ashpër ligjor për ta, por direkt lëshoni nga goja shigjeta të helmatisura kundër Policisë së Shtetit duke e bërë atë palë më krimin?!

Sigurisht që krimi do marrë hov, jo kur ka aleat policinë siç deklarohen paturpësisht krerët opozitarë, por sepse gjen aleatë pikërisht në opozitën shqiptare e cila përpiqet të dekurajoj deri në palcë këtë polici.

Thoni një fjalë të mirë, qoftë edhe për hipokrizi, kur për shembull policia zbulon një bazë me arsenal armësh që do përdoreshin në ngjarje kriminale, apo kur përpara disa ditësh arrestoi në flagrancë një trafikant minash me telekomandë.

Sigurisht, kur Policia ka sukses në luftën e saj kundër krimit, ky përbën lajm të keq për opozitën. Sa kohë që asnjë prej përfaqësuesve të saj nuk thotë: Ju lumtë!, kuptohet vetvetiu që janë bërë vrer për këto zbulime krimesh që kanë parandaluar ngjarje të rënda.

Lajme të mira për opozitën janë kur ndodhin ngjarje kriminale, sepse si ato hienat që ndjejnë erën e gjakut të presë, ashtu edhe atyre u rritet adrenalina për t’iu turrur Policisë së Shtetit, me qëllim që t’ia ulin autoritetin në popull, po edhe tek grupet kriminale.

Për ta kuptuar qartësisht publiku se çfarë përfaqësojnë Sali Berisha dhe Ilir Meta, po sjell një statistikë krahasuese të 2 dekadave të fundit, kur kjo dyshe kanë qenë kryeministra, veç e veç po dhe së bashku.

Periudha e qeverisë “Meta”

Viti 2000 me 275 të vrarë

Viti 2001 me 208 të vrarë

Gjithsej 483 të vrarë.

Periudha e qeverisë “Majko”

Viti 2002 me 179 të vrarë.

Periudha e qeverisë “Nano 2”

Viti 2003 me 144 të vrarë

Viti 2004 me 119 të vrarë

Viti 2005 me 131 të vrarë

Gjithsej 394 të vrarë.

Periudha e qeverisë “Berisha 1”

Viti 2006 me 87 të vrarë

Viti 2007 me 103 të vrarë

Viti 2008 me 88 të vrarë

Viti 2009 me 82 të vrarë

Gjithsej 360 të vrarë.

Periudha e qeverisë “Berisha 2 + Meta”

Viti 2010 me 118 të vrarë

Viti 2011 me 124 të vrarë

Viti 2012 me 126 të vrarë

Viti 2013 me 107 të vrarë

Gjithsej 475 të vrarë.

Periudha e qeverisë “Rama 1 + Meta”

Viti 2014 me 98 të vrarë

Viti 2015 me 54 të vrarë

Viti 2016 me 71 të vrarë

Viti 2017 me 52 të vrarë

Gjithsej 275 të vrarë.

Periudha e qeverisë “Rama 2”

Viti 2018 me 51 të vrarë

Viti 2019 me 63 të vrarë

Viti 2020 me 52 të vrarë

Viti 2021 me 60 të vrarë

Gjithsej 226 të vrarë.

Periudha e qeverisë “Rama 3”

Viti 2022 (7 mujori) me 20 të vrarë.

Duke krahasuar 8 vite të qeverisjes së Sali Berishës, me 8 vite të qeverisjes së Edi Ramës, kemi këtë raport:

Qeverisja e Berishës me 835 të vrarë.

Qeverisja e Ramës me 501 të vrarë

Gjithsej janë 1336 të vrarë.

Pra, në 16 vite qeverisje, 2006 – 2021, të vrarët e periudhës “Berisha” zënë 62.5 për qind të totalit, kurse të vrarët e periudhës “Rama” zënë 37.5 për qind të totalit, me një ulje të vrasjeve prej 40 për qind në favor të periudhës “Rama”

Ku e shohin Berisha – Meta rritjet e kriminalitetit gjatë qeverisjes së Ramës në raport me qeverisjet e tyre?! Në asnjë vit të qeverisjes “Rama” nuk ka pasur numra tre shifrorë të vrarësh, ndërkohë që në qeverisjen “Berisha” kemi 5 vite me numra të tillë.

Natyrisht, nuk është për t’u gëzuar as kur vrasjet janë dy shifrore, por për efekt krahasimi jemi të detyruar ta bëjmë këtë ballafaqim faktesh për të treguar se realiteti në Shqipëri është shumë më i mirë në raport me atë çfarë thotë opozita.

Kush ka sy të shohë dhe mendje të kuptojë, le t’i ketë përpara syve këto shifra kokëforta dhe sa herë dyshja Berisha – Meta të përpiqet të njollosë punën e palodhur dhe vetëmohuese të Policisë së Shtetit, t’ua përplasin në fytyrë, e cila, gjithsesi, as do iu skuqet e as do iu nxihet.

Si përfundim, nuk mund të lë pa përmendur se gjatë viteve 2006 – 2013, ishin me pikatore emisionet televizive me tematikë specifike kriminalitetin, ndonëse shifrat kanë qenë shumë herë më të larta. Kurse gjatë viteve 2014 – 2022, kemi jo vetëm emisione në dhjetëra televizone, kombëtare e lokale, që fokusohen enkas tek krimi, por është arritur t’i analizojnë deri në detaje dinamikat e ngjarjes bile edhe me prezencë të përfaqësuesve të policisë në studio.

Kjo krijon në publik një perceptim të rremë sikur situata e kriminalitetit është zi e më zi në raport me të shkuarën. Duke e “bombarduar” publikun me tema të tilla, shto këtu edhe punën pa orar të qindra portaleve dhe rrjeteve sociale online, domosdo që do të marrësh perceptim negativ e cila më pas shoqërohet me agjitacion opozitar për të braktisur Shqipërinë si një vend pa siguri jete.

Shpresoj se statistikat që solla më sipër, do të ndihmojnë sadopak që ky perceptim i gabuar të ndryshojë e bashkë me të dhe i atyre që kanë rënë preh e propagandës së dashnorëve të krimit: Berisha dhe Meta.