Gazetarja Daria Aslamova është rusja e fundit që është shpallur person i padëshirueshëm në Kosovë. Përveç Aslamovas, vendi ynë ka shpallur non-grata edhe dy zyrtarë të Zyrës Ruse në Prishtinë dhe dy të tjerë nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK).

Aslamova me vendim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vjet, pasi ishte ndaluar nga policia e vendit më 6 gusht.

Sipas ministrit Xhelal Sveçla, ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh në inteligjencën ushtarake ruse, duke vepruar nën petkun e gazetares. “Si ministër i Punëve të Brendshme, brenda kompetencave të mia ligjore, bazuar në Ligjin për të Huaj, Nenet 17 dhe 66 A, kam shpallur person të padëshirueshëm në Republikën e Kosovës Daria Asmalovan. Hyrja e këtij personi është e ndaluar për pesë vite në territorin e Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Sveçla.

Ai shtoi se kushdo që dëshiron destabilizimin e vendit do të përballem me forcën e ligjit.