Në ditën e takimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiç në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, në veriun e Kosovës shihen mbishkrime provokuese nëpër mure, të cilat kanë trembur banorët.

Në mbishkrime shfaqen ngjyrat e flamurit serb, ku thuhet “Këtu jemi, mos u merakosni” dhe “Këtu jemi, po presim”, të shkruara në emër të ashtuquajturës “Brigada veriore”, të cilat janë vendosur nëpër lokacione të ndryshme në rrugët e veriut të Mitrovicës.

Mbishkrimet në veri të Kosovës

Pas 31 korrikut u rritën tensionet mes Serbisë dhe Kosovës, pasi serbët lokalë vendosën barrikada në veri të vendit, duke bllokuar rrugët që çonin në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak. Serbët kundërshtuan dy vendime të Qeverisë së Kosovës, që kishin të bënin me targat dhe dokumentet serbe, por më 1 gusht barrikadat u hoqën dhe Kosova shtyu zbatimin e vendimeve deri në shtator.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e BE-së. Takimi i parë Kurti-Vuçiç, i mbajtur me 15 qershor 2021 në Bruksel, kaloi me grindje dhe mosmarrëveshje të mëdha, madje edhe me ngritje tonesh. Takimi i dytë, i mbajtur më 19 korrik 2021 ishte shumë më i shkurtër, sesa ishte planifikuar, sepse palët nuk ishin dakord pothuajse për asgjë. Takimi i tretë do të zhvillohet sot, në Bruksel, ndërsa dje Kurti dhe Vuçiç zhvilluan takime paraprake secili veçmas me Miroslav Lajçak dhe Grabriel Escobarin.