Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit të Kredibilitetit (credit rating agency) Moody’s, rikonfirmon vlerësimin aktual të Shqipërisë, “B1 – me perspektivë të qëndrueshme”, në “rifreskimin” më të fundit të opinionit të saj publikuar më 30 gusht 2022.

Agjencia vlerëson se rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë ishte e fortë dhe Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) arriti nivelet e parapandemisë që në vitin 2021. Shpërthimi i korona-virusit ndikoi rëndë në performancën ekonomike në vitin 2020. Megjithatë, stabiliteti makroekonomik u ruajt. Tkurrja ekonomike gjatë 2020 ishte më e butë (me recension prej 3.5%) dhe rimëkëmbja në 2021 më e fortë se sa pritej fillimisht (me rritje reale prej 8.5%).

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj teksa publikoi raportin e Moody’s, tha se Agjencia ka rishikuar për lart parashikimin e saj për rritjen reale ekonomike të vitit 2022, në 3.8% (nga 3.4% që ishte parashikimi i mëparshëm në fillim të prillit).

Ndërsa ecuria e PBB vijoi të tregojë një vrull të fortë në tremujorin e parë të 2022 me rritje prej 6.0% nga viti në vit, agjencia parashikon që rritja ekonomike të ngadalësohet në pjesën e mbetur të 2022 dhe 2023. Rritja e çmimeve të produkteve energjetike dhe kostove të inputeve krijojnë presione të larta të vazhdueshme inflacioniste duke rezultuar në një kërkesë të brendshme më të dobët. Edhe rritja ekonomike më e ulët në vendet të cilat janë destinacionet kryesore të eksportit shqiptar pritet të ketë një ndikim frenues në rritjen ekonomike.

Agjencia vëren se parashikimet ekonomike dhe fiskale vijojnë të rrethohen nga një paqartësi e lartë për shkak të konfliktit të vazhdueshëm ushtarak Rusi-Ukrainë dhe rrezikut të një përshkallëzimi dhe/ose zgjerimi të mëtejshëm të konfliktit.

Agjencia vlerëson se varësia e Shqipërisë nga importet energjetike (naftës, gazit, etj.) prej Rusisë është e ulët. Për më tepër, ekspozimi i Shqipërisë ndaj ndërprerjeve tregtare është shumë i ulët pasi eksportet e mallrave drejt Rusisë dhe Ukrainës përbëjnë vetëm rreth 0.01% dhe 0.14% të totalit të eksporteve.

Gjithashtu edhe ekspozimi i drejtpërdrejtë i sektorit të turizmit është relativisht i ulët ndaj Rusisë dhe Ukrainës, dhe rimëkëmbja e mëtejshme e sektorit të turizmit vazhdoi në vitin 2022, me numrat e turistëve që tejkaluan nivelin e parapandemisë gjatë periudhës janar-korrik.

Agjencia parashikon që inflacioni i çmimeve të konsumit të mbetet i lartë në pjesën e mbetur të vitit 2022 dhe më pas të zbutet në 3.5% në fund të vitit 2023. Për vitin 2022 dhe 2023, inflacioni mesatar i çmimeve të konsumit parashikohet përkatësisht në 6.7% dhe 4.0%, pas 2.1 % në 2021.

Agjencia vlerëson se treguesit fiskalë kanë qenë në një trend gradual pozitiv që pas përkeqësimit të konsiderueshëm që patën në vitin 2013 për shkak të tejkalimeve të shpenzimeve në prag të zgjedhjeve parlamentare të qershorit të atij viti. Megjithatë, ndikimi i pandemisë ka rënduar në financat publike, duke e thyer përkohësisht këtë trend pozitiv, ndërkohë që rreziku i detyrimeve kontingjente mbetet i lartë.

Në veçanti, rreziqet kryesore fiskale kontingjente të Shqipërisë lidhen me importet e energjisë elektrike të lidhura me motin, detyrimet kontingjente që rrjedhin nga sektori energjetik, nga zgjidhja e kërkesave për kthimin e pronave që rrjedhin nga periudha e komunizmit dhe nga rritja e financimeve jashtë buxhetore në formën e partneriteteve publike private (PPP) që janë përdorur si instrument për rritjen e investimeve publike. Gjithashtu agjencia vëren si risqe të tjerë edhe riskun politik, duke reflektuar panoramën e polarizuar politike brenda vendit, si dhe riskun gjeopolitik, duke reflektuar ekspozimin e rritur të Shqipërisë ndaj rreziqeve gjeopolitike për shkak të konfliktit ushtarak midis Rusisë dhe Ukrainës.

Agjencia vlerëson se borxhi i qeverisë së përgjithshme (duke përfshirë garancitë) arriti kulmin në 74.5% të PBB-së, në 2020 dhe u ul sërish në 73.2% të PBB-së, në 2021. Raporti i borxhit ndaj PBB-së për vitin 2021 ishte 7.4 pikë përqindje mbi nivelin e tij të 2019.

Agjencia parashikon që borxhi publik ndaj PBB të vazhdojë trajektoren rënëse në 2022 dhe 2023 duke rënë respektivisht në 72.1% dhe 71.9%. Agjencia parashikon një raport të shpenzimeve mesatare për interesa ndaj të ardhurave totale të buxhetit prej rreth 8 % në 2022-2023, që është mbi nivelin parapandemisë 2019 (7.6%), por gjithsesi nën mesataren e dekadës së kaluar (9.4%).

Agjencia është e opinionit se hapja formale e negociatave të anëtarësimit është mjaft pozitive për Shqipërinë, sepse do të nxisë zbatimin e reformave dhe do të mbështesë fuqinë institucionale të vendit. Agjencia parashikon që ky zhvillim do të përmirësojë mjedisin e përgjithshëm të biznesit dhe gjithashtu do të rrisë nivelet e investimeve të huaja direkte (IHD).

Sipas agjencisë, procesi i integrimit drejt BE ka shërbyer si një ankorë kyçe për reformat strukturore dhe institucionale dhe zhvillimin ekonomik që kur Shqipërisë iu dha statusi kandidat në qershor 2014.

Momentumi i reformave ka të ngjarë të forcohet me avancimin e bisedimeve të pranimit, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit dhe kontrollit të korrupsionit. Integrimi i mëtejshëm ekonomik me BE-në, partneri më i madh tregtar i vendit, ka të ngjarë të përmirësojë potencialin e rritjes së vendit në afat të mesëm dhe eventualisht të ngushtojë më tej hendekun në nivelet e të ardhurave me vendet anëtare të BE.

Në afatgjatë, agjencia është e opinionit se aftësia e vendit për të vijuar në mënyrë të qëndrueshme procesin e konvergimit të nivelit të të ardhurave për banorë drejt niveleve që kanë vendet e BE, do të varet nga suksesi i qeverisë në vijueshmërinë e implementimit të reformave strukturore dhe krijimin e avantazheve konkurruese në raport me vendet e tjera të rajonit.