Nën ritmet e “Live is Life” të grupit austriak ‘Opus’, Monika Kryemadhi u uron mirëmëngjes shqiptarëve dhe i fton ata të mendojnë pozitivisht për ditën, por edhe për të ardhmen, pavarësisht se vendi ndodhet nën një krizë rritje çmimesh të pashoqe.

Në një nga vargjet e këngës së grupit austriak ‘Opus’ thuhet: “Live is life, when we all feel the power”, që e përkthyer në shqip do të thotë se ‘të jetosh është jeta, kur të gjithë e ndjejmë fuqinë/pushtetin”.
Problemi është se ndryshe nga Kryemadhi, shqiptarët fuqinë e pushteti e kanë ndjerë vetëm mbi shpinë, pa e ushtruar atë vetë. Prova më e thjeshtë janë vetë syzet e diellit me të cilat Monika Kryemadhi shfaqet në klipin ku fton shqiptarët që të mendojnë pozitivisht.
Janë syze “Chrome Hearts”, që kushtojnë rreth 1.5 mln lek, ose 1270 euro. Nëse të gjithë shqiptarët që ajo u drejtohet do të kishin mundësi të mbanin syze të tilla, atëherë me siguri edhe ata do të mendonin pozitivisht, ashtu si Monika Kryemadhi.
Kjo nuk është hera e parë që Monika tregon luksin në të cilin është zhytur prej kohësh. Rast i freskët është nga një foto të publikuar në rrjetet sociale më 9 gusht nga ish-kryetarja e ish-LSI të shndërruar në Parti e Lirisë, që Ilir Meta ironikisht preferon ta quajë partia antikorrupsion.
Foto duket krejt normale mes një grupi miqsh, por ajo që s’është normale është çmimi i shapkave që mban veshur Monika Kryemadhi, që nga një kërkim i thjeshtë në Google rezultojnë mbi gjysmë milioni lek.
Më herët, në një intervistë televizive të disa viteve më parë, Kryemadhi tregonte me krenari ‘kështjellën’ në Gjirin e Lalëzit, ku edhe macja kishte banjon e vet personale.
Videoja shkaktoi reagime në publik, aq sa njerëzit ngritën me të drejtë pyetjen se cili ishte burimi i të ardhurave i vilës superluksoze të Monika Kryemadhit. Pas këtyre reagimeve, videoja në fjalë është zhdukur nga interneti.