Konflikti në Ukrainë arrin tashmë gjashtë muaj nga fillimi i tij dhe palët nuk kanë dhënë shenja se mund të ulin armët. Ekspertët thonë se bombardimi i qyteteve ukrainase nga forcat ruse ka konsoliduar vullnetin dhe vendosmërinë e popullit ukrainas për të vazhduar luftën, si dhe i ka sjellë jetë të re NATO-s.

Rusia filloi më 24 shkurt në Ukrainë atë që e quajti “operacion i posaçëm ushtarak”, për të cilin thotë se synon të çmilitarizojë Ukrainën dhe të mbrojë banorët rusisht-folës në treva që Presidenti rus Vladimir Putin thotë se i kanë takuar historikisht Rusisë.
Ky është sulmi më i madh ndaj një vendi evropian që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ukraina u shkëput nga Moska kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë në vitin 1991 dhe vendet perëndimore e quajnë konfliktin një luftë pushtuese të paprovokuar.
Ndërsa palët nuk po japin shenja për uljen e armëve dhe arritjen e një marrëveshjeje paqeje, lufta ka bashkuar NATO-n.
“Kjo ka rigjallëruar NATO-n pas largimit nga Afganistani. NATO tashmë ka një qëllim të ri, që është në vetvete qëllimi i saj i vjetër: frenimi i Rusisë. Do të thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë riangazhimin në Evropë. Sigurisht që evropianët shqetësohen për çfarë mund të ndodhë në vitin 2024 në zgjedhjet presidenciale amerikane, që mund t’i ndryshojë gjërat sërish. Por, për sa kohë që kemi një qeveri amerikane të përkushtuar ndaj aleancës, jemi rikthyer në situatën ku Shtetet e Bashkuara dhe aleatët në Evropë dhe Azi do të bashkohen kundër kombinimit të Rusisë me Kinën”, thotë Angela Stent, studiuese në Institutin Brookigs.
Ajo thotë se vende si Shtetet e Bashkuara, Britania, Polonia dhe vendet balltike tregojnë mbështetje të vendosur për Ukrainën dhe po punojnë me vendet e tjera anëtare ku anketimet e opinionit publik tregojnë shenja lodhjeje nga lufta, ndërsa inflacioni, çmimet e energjisë dhe mangësitë në furnizime rrisin presionin ndaj vendeve të NATO-s. Megjithëse kjo mund të shtojë thirrjet për një zgjidhje të negociuar, raportimi në media i mizorive të forcave ruse, njoftimet për sulmet ndaj civilëve dhe frika për një incident bërthamor do të mbështesin vazhdimësinë e përkrahjes ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën.
“Nuk shoh të zërë shumë vend frika. Shikoj madje më shumë përshtatje me luftën dhe mbi 70% e ukrainasve janë përfshirë duke ndihmuar forcat e armatosura në front me gjithfarë lloji ndihmash humanitare, madje edhe duke blerë municione, paisje mbrojtëse, paisje për komunikimin dhe për ndihmën e shpejtë. Pra, i gjithë vendi vazhdon të jetë shumë i mobilizuar”, thotë Orysia Lutsevych, drejtuese e Forumit për Ukrainën në organizatën Chatham House.
Gjatë gushtit, vendet perëndimore angazhuan mbi 1.55 miliardë dollarë në fonde, paisje dhe trajnime për të rritur aftësitë e ushtrisë ukrainase dhe administrata e Presidentit Biden po përgatit një tjetër paketë ndihmash ushtarake prej 775 milionë dollarësh, duke e rritur kështu në 10.6 miliardë dollarë ndihmën amerikane të dhënë për Ukrainën që nga muaji shkurt.
Zonja Stent mendon se me këtë rinangazhim të aleatëve, Shtetet e Bashkuara arritën ta mbajnë Kinën jashtë këtij konflikti.
“Diçka tjetër që duhet të ketë në mendje SHBA-ja është që të mos ndërmarrë veprime që forcojnë marrëdhënien Rusi-Kinë. Putini ka marrë tashmë vendimin të jetë partneri i ri i Kinës dhe sigurisht t’i largohet Perëndimit, dhe mendoj se do të ishte diçka e zgjuar të mos i shtyjmë më pranë njëri-tjetrit”, thotë zonja Stent.
Ekspertet parashikojnë një luftë të zgjatur. Megjithë marrëveshjet e mundshme dytësore të karakterit humanitar, nëse Kremlini nuk ndryshon kurs nuk pritet të ndodhin negociata të mirëqena. Nëse nuk ndodh ndonjë incident madhor, si p.sh. tek centrali bërthamor në Zaporizhzhia, lufta pritet të vazhdojë edhe në vitin 2023.