Liburn Aliut, Ministrit të Infrastrukturës në Kosovë i vodhën makinën zyrtare mbrëmjen e të martës, ndërkohë që ishte e parkuar në ambientet e Ministrisë. Makina u ndalua në doganën e Qafë Morinës, pasi policia kufitare konstatoi se diçka nuk shkonte me personin që ishte në timon, e që tentoi të kalonte në Shqipëri me makinën e ministrit.

Mediat në Kosovë shkruajnë se sot në mëngjes është paraqitur vetë në polici shoferi i ministrit Liburn Aliu, shtetasi me inicialet P. Th., i cili ka deklaruar se mbrëmë rreth orës 22:30-22:45, ministri Liburn Aliu kishte parkuar makinën e tij zyrtare Audi A3, ngjyrë e zezë me targa zyrtare 3Z-***, në parkingun e kësaj Ministrie.

Ndërkohë, në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 04:30, mësohet se është telefonuar nga Policia e Kosovës përgjegjësi për makinat e kësaj Ministrie, sepse në Pikën Kufitare “Qafë e Morinës” ishte ndalur makina zyrtare e ministrit Liburn Aliu nga ana e zyrtarëve policorë, pas dyshimeve në shoferin e makinës.

Policia njoftoi se mjeti me të cilin lëvizte Liburn Aliu dhe personi që e kishte vjedhur, ndodhen të ndaluar në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës.

Rasti është dërguar në Prokurori për veprime të mëtejshme.