Madridi është kthyer në qendrën e merkatos këto ditë gushti, kjo pasi klube të mëdha kanë piketuar yjet e Realit dhe Atletico-s. Ti rrëmbesh lojtarë presidentit Perez nuk është shumë e lehtë, për në rastin e Casemiro-s situata është pak më ndryshe, pasi vetë lojtari po mendon seriozisht për ofertën e ardhur nga Man.United.

“Djajtë e kuq”, të dëshpëruar për të gjetur një mesfushor po bëjnë gjithçka për të joshur brazilianin, i kanë ofruar një kontratë deri në 2027 dhe afro dyfishin e pagës që aktualisht merr te Real Madrid. Drejtuesit e klubit anglez janë të gatshëm t’i ofrojnë Realit 70 milionë euro kesh, me shpresën për të mbyllur sa më shpejtë këtë tratativë.

Lojtari është i vetëdijshëm se kjo mund të jetë kontrata e tij e fundit e rëndësishme në karrierë, pasi tashmë është 30-vjeç, por pozitat ku ndodhet Man.United jashtë Champions League dhe në vendin e fundit të Premier League e kanë bërë pak skeptik.

Nëse Reali është në dilemë për këtë lëvizje e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Atletico-n. Sipas Marca, më 31 korrik, një ditë pas miqësores me Man.United, drejtuesit e Atletico-s kanë refuzuar një ofertë prej 135 milionë euro të ardhur për Joao Felix pikërisht nga United. Më herët, në fillim të korrikut, kishin bërë të njëjtën gjë, duke refuzuar ofertën e ardhur nga Bayern Munich për sulmuesin portugez.