Real Madridi e ka në duar të sigurta mesin e fushës edhe në sezonin e ardhshëm. Toni Kroos, Luka Modric dhe Casemiro është treshja e padiskutueshme e trajnerit Carlo Ancelotti për edicionin 2022/23.

Trajneri italian është mjaft i kënaqur me tre veteranët e mesfushës, të cilët po e tregojnë veten edhe në fazën përgatitore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata kontribuuan edhe në fitoren 2:0 ndaj Juventusit, në një ndeshje miqësore të zhvilluar në SHBA.

E fjalë të mira për ta ka ish-trajneri i Parmës, Juventusit, Milanit, Chelseat, Paris Saint-Germainit, Bayern Munichut dhe Evertonit. Madje, “DonCarlo” ua ka vendosur edhe një nofkë atyre.

“Mesfushën e përbërë nga ata të tre e thërras si ‘Trekëndëshi i Bermudës’, sepse në atë zonë topi zhduket gjithmonë”, deklaroi trajneri i “Los Blancos”. Kroos-Modric-Casemiro konsiderohet si njëra prej tresheve më të mira në histori të futbollit.