Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli gjendje krize në sektorin e energjetikës. Ky vendim do të hyjë në fuqi më 1 shtator dhe do të zgjasë për 30 ditë.

Qëllimi i këtij vendimi është që përmes fondeve nga buxheti të ndihmohen kompanitë energjetike për prodhimin e energjisë elektrike.

Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka propozuar që gjendja e krizës të vazhdohet deri në muajin mars të vitit 2023, por ka thënë se janë deputetët ata që mund ta bëjnë këtë.

“Kuvendi dhe deputetët kanë të drejtë të vazhdojnë gjendjen e krizës në sektorin e energjetikës. Propozoj që gjendja e krizës të vazhdojë aq sa është dhe sezoni i ngrohjes”, tha ai pas mbledhjes së qeverisë.

Gjithashtu, nga 2 shtatori hyjnë në fuqi dhe masat e qeverisë për kursimin e energjisë elektrike që i detyrojnë institucionet e shtetit të ulin faturat e energjisë elektrike deri në 15 për qind.