Lisandro Martinez, Christian Eriksen dhe Tyrell Malacia janë emrat që i janë bashkuar deri në këtë moment të merkatos klubit të Manchester United.

Megjithatë, trajneri Erik ten Hag dhe drejtuesit nuk janë fokusuar vetëm te merkato në hyrje, por edhe te ajo në dalje duke qenë se tekniku holandez kërkon të ketë në dispozicion një numër jo të ekzagjëruar lojtarësh. SuperSport shkruan se në këtë formë, 52-vjeçari ka dërguar tek drejtuesit më të lartë të klubit një listë me emrat e gjashtë lojtarëve të cilët kërkon t’i largojë nga Old Trafford pasi nuk i hyjnë në punë për projektin e ri. Bëhet fjalë për gjashtë mbrojtës duke nisur nga Alex Telles, Aaron Wan-Bissaka, Eric Baily, Phil Jones, Ethan Laird dhe Axel Tuanzebe.

Në fakt, “Djajtë e Kuq” nuk do ta kenë të lehtë të lirohen nga disa prej tyre duke qenë se nuk ka kërkesa në merkato teksa për Baily interesohet Roma ndërsa për Jones ka interes nga MLS, kampionati elitar i Amerikës.