Që prej ditës kur në media u shpërnda lajmi për një shkresë që Autoriteti i Dosjeve i dërgonte Kuvendit të Shqipërisë, ku theksonte se ish-presidenti Ilir Meta figuron në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, detaje të rëndësishme kanë dalë herë pas herë edhe nga personazhe të tjerë që kanë pasur një rol në këto 30 vite.

Së fundmi ka qenë ish-badigardi i ish-kryeministrit Fatos Nano, Viktor Agollit i kujton kreut të Lirisë datën 22 tetor 1992, ku sipas ish-badigardit të Nanos, Ilir Meta i ka premtuar diçka Berishës që më pas u lirua nga SHIK- i Gazidedes, pasi u arrestua dhe u mbajt 2 ditë në burg në Berat, si organizator i protestës së armatosur të Uzina Ushtarake në Poliçan.

Agolli thotë se Meta ka marrë direktiva për të shkatërruar Partinë Socialiste asokohe si bashkëpunëtorë i sigurimit. Madje ai kërcënon se ka për të nxjerrë biseda sekrete të Metës me Berishën.

Kujtojmë se Report Tv siguroi dokumentin ekskluziv të Autoritetit të Dosjeve që zbulon se Ilir Meta është politikani i lartë i Shtetit që përmendet në dosjen e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit. Në dokumentin e ekskluziv të Autoritetit të Dosjeve të siguruar nga Report Tv thuhet se ish-presidenti Meta rezulton bashkëpunëtor i Sigurimit të shtetit dhe nëse verifikimi i Metës do të bëhej sot certifikata e pastërtisë së tij do të ishte ndryshe. Autoriteti i Dosjeve i kërkon Kuvendit të Shqipërisë që të verifikohen politikanët që dolën në të pastër në Komisionet në vitet ’90. Autoriteti i Dosjeve, me qëllim që situata të tilla të mos përsëriten më, kërkojnë miratimin e propozimit për disa ndryshime në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë.

Personi i cili dyshohet se është spiunuar nga ish-Presidenti, ish-Kryeministri dhe ish kryetari i Kuvendit të Shqipërisë në Sigurimin e Shtetit në komunizëm është Filip Talo. Report Tv mësoi gjithashtu se ai ka qenë shok në fakultet me Ilir Metën. Sipas një denoncimi të mbërritur në Autoritetin e Dosjeve Filip Talo është spiunuar nga I. M për një tentativë për arratisje në kohën e komunizmit. Ndërkohë, ish-presidenti e mohon të jetë ai personi që përmendet në shkresën e Autoritetit të Dosjeve, me pretendimin se ka disa persona me emrin Ilir Meta.

Megjithatë, Report Tv disponon gjithashtu dokumente që vërtetojnë se ish presidenti Ilir Meta ka përdorur dy mbiemra për të fshehur të shkuarën e tij në ish Sigurimin e Shtetit./ shqiptarja.com/