Grupimi i njohur tashmë publikisht në Shqipëri si “Homeland Justice”, të vetëshpallur edhe si autorë të sulmit kibernetik të ndërmarrë ndaj faqeve qeveritare dhe portalit e-Albania, prej ditësh kanë filluar publikimet e një sërë dokumentash zyrtare, ku përfshihen email-e ndërmjet dikastereve, postë elektronike e kryeministrit, apo edhe shkëmbim informacioni me selitë diplomatike shqiptare jashtë vendit.

Pavarësisht kësaj, natyra e dokumentave të publikuara deri tani ka qenë tepër e papërfillshme dhe pa peshë specifike.

Më së shumti, bëhet fjalë për korrespondencë me qytetarët dhe vetë institucionet, për çështje pa ndonjë implikim specifik të natyrës qeveritare.

Prej disa javësh, Albanian Post është në komunikim të vazhdueshëm me kompaninë ndërkombëtare të sigurisë kibernetike, Mandiant, pasi këta të fundit publikuan një raport mbi sulmin e ndodhur në Shqipëri, duke dalë në përfundimin se gjasat janë shumë të larta, që ai të ketë ardhur nga Irani.

Duke parë aktivitetin dhe natyrën e grupimit “Homeland Justice” në faqe online apo media sociale si Twitter fillimisht e më pas Telegram, redaksia e Albanian Post vijoi të konsultohet me Mandiant mbi natyrën e grupimit dhe mundësitë reale që ata, të disponojnë dokumenta shtetërorë me rëndësi të lartë apo të natyrës sekrete.

Sipas Alice Revelli, menaxheres madhore dhe analistes së informacioneve dhe operacioneve, si edhe Emiel Haeghebart, analist i kërcënimeve të inteligjencës, është e pamundur të verifikohet tërësisht në mënyrë të pavarur se sa të dhëna janë vjedhur nga serverat qeveritarë.

Por, ajo çfarë mund të thuhet, është se mënyra se si grupimi po vepron, është ndër rastet më klasike, pasi informacione me shumë pak rëndësi po publikohen momentalisht dhe kjo mund të jetë një mënyrë për të ushtruar presion ndaj Qeverisë, duke ruajtur dokumenta me më shumë vlerë.

“Ne kemi parë herë të tjera grupe hacktivist-ësh, të cilët publikojnë të dhëna të vjedhura në kohë”, theksojnë dy ekspertët e sigurisë kibernetike për Albanian Post. “Këto grupe, jo domosdoshmërisht i nxjerrin të gjitha të dhënat që kanë menjëherë, por i shtrijnë ato në periudha të ndryshme kohore”.

Sipas tyre, kjo ndodh pasi kështu, ata maksimizojnë vëmendjen ndaj kauzës së tyre.

Po në raportin e Mandiant, shkruhej se gjasat më të larta, janë ato që personat, të cilët e kanë kryer sulmin, të kenë kërkuar të godasin grupimin e muxhahedinëve MEK, të cilët po strehohen aktualisht në Manzë të Durrësit.

Ky grupim njihet edhe si disidentët e opozitës iraniane dhe vetë Teherani zyrtar, kërkon kthimin e tyre në atdhe për gjykim mbi një sërë krimesh të pretenduara.

Për më tepër, vetë grupimi “Homeland Justice”, në publikimet e tyre, shënjestron pikërisht eksponentë të MEK-ut dhe mbi këtë gjë, nga kompania Mandiant, përgjigjen se pavarësisht se nuk ka prova teknike për të thënë me siguri se ata ndodhen pas sulmit, për gjigandin kibernetik është shumë e mundshme që “Homeland Justice” ta ketë kryer agresionin.

Këtë gjë, ekspertët e Mandiant e mbështesin në faktin se aktiviteti i grupimit të hacker-ëve, koha dhe mënyra e postimeve, ashtu si edhe tematika e tyre, përputhen plotësisht me të dhënat që ata disponojnë mbi sulmin kibernetik në Shqipëri.

Madje, ata shtojnë se disa fronte mund të jenë bashkuar nën siglën e “Homeland Justice”, për të bashkëpunuar në mbështetje të interesave të Iranit, të cilat janë shpalosur shumë herë edhe publikisht.

Por, pyetja e vërtetë që shtrohet nga publiku i gjerë dhe ajo me më shumë, është një: A është e mundur që ky grup, të zotërojë vërtetë dokumentacione me rëndësi të interesit kombëtar?

Është më se e mundur, sipas profesionistëve të kompanisë Mandiant, por këtë gjë, ata mundet ta konfirmojnë apo hedhin poshtë në mënyrë të pavarur.

Megjithatë, qartësisht ata thonë se stili i publikimit të të dhënave, është shumë i njohur në botën e sigurisë kibernetike, ndaj edhe është më se e mundur që “Homeland Justice” të ketë informata dhe të dhëna relevante të Qeverisë.

Duke parë ritmin e hacker-ëve ditët e fundit, është vënë re se kryesisht çdo javë, publikohen të dhëna të reja, në bazë të asaj, të cilën ata e quajnë “vullnet i popullit”.

Thënë ndryshe, një votimi online, që ata kryejnë në faqen e tyre.

Megjithatë, me ardhjen e ekspertëve të ardhur nga Byroja Kombëtare e Hetimit në SHBA (FBI), pritet që të tjera të dhëna të mësohen e të bëhen publike mbi sulmin, pas të cilit, çdo ditë e më shumë, vërtetohet se fshihet Irani…edhe pse jo zyrtarisht.