Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet hyrëse-dalëse.

Ai tha se marrëveshjet një nga një janë në interes të Serbisë, për ta vonuar Kosovën. Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj shkruan se Kosovës i duhet një marrëveshje përfundimtare që sipas tij, arrihet vetëm me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Marrëveshjet një nga një janë strategji e Serbisë për të blerë kohë e për ta vonuar Kosovën. Interesi shtetëror, nacional e qytetar i Kosovës është marrëveshja përfundimtare për njohje, e cila mund të arrihet vetëm me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa ndihmën e të cilës nuk do të fillonte as zbatimi i marrëveshjes për dokumentet e identifikimit”, tha ai.

Haradinaj shtoi se tashmë ka ardhur koha që dialogu të kalojë në një tjetër nivel dhe Serbia ta njoh Republikën e Kosovës.

“Kanë kaluar njëzetë e sa vjet ç’prejse është krijuar një realitet i ri në Kosovë dhe mbi katërmbëdhjetë vjet qysh Kosova është shpallur shtet sovran dhe i pavarur. Tash është koha e duhur që dialogu të kalojë në një nivel tjetër dhe Serbia ta njoh Republikën e Kosovës”, shprehet Ramush Haradinaj.

Lajmin e mirë për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi e bëri të ditur shefi I BE-së, Joseph Borrell, i cili njoftoi se Kosova dhe Serbia kanë zgjidhur mosmarrëveshjen për lëvizjen e qytetarëve të tyre përtej kufijve.