Nga Ylli Pata

Shkarkimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano, i dha një xixë më shumë telenovelës së nisur prej ditësh në mjedisin e “black story”-t shqiptar, pas “zhdukjes” së një nga personazheve më famëkeqë të krimit në vend.

E nisur prej dy ditësh, kur doli lajmi se Nano ka dhënë dorëheqjen, sot kjo histori u mbyll me vendim qeverie.

“Do të ketë prekur dikë në kallo, se nuk ka mundësi”, vijojnë zërat që trillerit të Elvis Martinajt i shtuan edhe elementin rozë, duke rritur nuancat misterioze të trillerit, e kështu na sollën një model turbofolk të Agatha Christe-s.

Megjithatë, fakt është se deri ditën e sotme, nuk kemi parë ndonjë notë simpatie apo përkrahje të këtij mjedisi mediatik për Gledis Nanon. Përkundrazi e kanë sulmuar q quajtur një “shërbëtor të Ramës” më shumë se një here.

E ka kohë, që nuk kemi atë atmosferën e dikurshme kur edhe në mjedisin mediatik kishim “fan club”-et e kolonelëve të atëhershëm të Policisë së Shtetit, ku gazetarër lobonin në opinion duke i ndihmuar në një anë, por në anën tjetër rrisnin xhelozinë e kolegëve dhe të politikës, me pasojë ndërprerjen e karrierës në mes të shumë oficerëve të njohur.

MOS HUMBISNI

Kyçet do te jene sit e një 17- vjeçari. Shënoni recetën !
Arthroflex

Dhimbja e këmbëve dhe venat varikoze zhduken pas 3 ditësh!
Variforce

Nje zgjidhje pak e ditur per te eleminuar variçet
Variforce

Ilaç efektiv për dhimbjen e kyçeve: ekziston një recetë efektive
Artroflex
Por, përtej zhurmës, ende nuk ka pasur një qasje racionale mbi këtë zhvillim të rëndësishëm që çoi në largimin e numrit një të Policisë së Shtetit. Fakt shumë i rëndësishëm në këtë suazë, ishte deklarata e ambasadës amerikane në Tiranë, e cila qartësisht nuk e ka aprovuar shkarkimin e Gledis Nanos, duke nënvizuar se ai është një “partner i fortë i SHBA, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit por dhe më parë si Drejtor i Antiterrorit”.

E pas kësaj deklarate ka shumë gjasa që partnerët amerikanë të kërkojnë edhe shpjegime shtesë në lidhje me këtë lëvizje të qeverisë shqiptare. Krijimi dhe konservimi i një klase profesionistësh të depolitizuar oficerësh të Policisë së Shtetit në 30 vjet, ka qenë një nga dështimet e radhës së klasës politike shqiptare.

Agjencia më e rëndësishme për sigurinë publike në vend është pasqyrë e shoqërisë sonë; e politizuar, e polarizuar, e prekur nga korrupsioni, nepotizmi dhe klanet që lidhen me subjektet e krimit në vend.

Në vendet e Perëndimit, oficerët e lartë të policisë janë asete që nuk i luan politika, pasi janë të mbrojtur me ligj, e nuk lëvizin sipas konjukturave apo dëshirave të drejtuesve politikë të vendit.

Në Itali, për shembull, kreu i Policisë emërohet me një dekret të posaçëm të Presidentit të Republikës, nga një propozim i ministrit të Brendshëm, i cili miratohet më pas në Këshillin e Ministrave. Krerët e Policisë së Shtetit në Itali nuk lëvizin nga ndryshimet politike të qeverisë apo të ministrave të Brendshëm. Afërsisht një Drejtor i Përgjithshëm në Itali rri në detyrë pasi përcjell 6 apo shtatë ministra të Brendshëm. Në krye të policisë vendosen emra me shumë përvojë dhe mjaft të spikatur të uniformave blu, të cilët kanë dhënë rezultate të rëndësishme gjatë punës së tyre në mënyrë speciale.

Në CV-në e disa prej krerëve të policisë italiane, vë re se ata kanë në biografi zgjidhje të suksesshme të ngjarjeve të rënda të rendit publik që nga pengmarrjet, luftës ndaj mafia-s apo terrorizmit.

Ndërkaq, edhe shefat e policive lokale, prefektët dhe kuestorët nuk lëvizin sipas humorit të ministrave dhe drejtuesve politik, por vetëm nëse këtë e vendos grupi drejtues i policisë dhe sipas një rregulli të përcaktuar me ligj.

Kështu, për tu bërë kuestor apo drejtues policie në Itali duhet të kalosh një sërë konkursesh drakoniane, duke plotësuar kritere të rrepta. Së pari, drejtues policie nuk bëhesh vetëm me shkollën e Policisë, por duhet të kesh një diplomë tjetër ose për Ekonomi ose për Drejtësi.

Më pas mbahet një konkurs që parashikon provim me shkrim dhe me zë në lëndë juridike, mjeksisë ligjore, informatikë dhe gjuhë të huaja. Pasi kalon konkursin për komisar nis masteri i nivelit të dytë në shkollën e policisë për “Shkenca të Sigurisë” që zgjat dy vjet.

Pastaj nis karriera si komisar, zv shef policie e shef policie, pas një përvojë të paktën 5 vjet për çdo rol. Vetëm pasi të kryhet ky cikël atëherë mund të tentohet konkursi për drejtues të lartë policie si kuestor, që është homolog i Drejtor Policie Qarku tek ne. Rroga e një drejtuesi policie në Itali nuk është më e madhe se 3500 euro neto në muaj.

Ky investim i madh që bëhet për të formuar dhe mbajtur kuadrot e sigurisë ka krijuar blindimin e oficerëve të lartë të policisë nga politika. Tek ne, pas rrëzimit të sistemit komunist u fol shumë për depolitizimin e ushtrisë dhe policisë, por ajo ç’ka ndodhi më pas e politizoi edhe më shumë.

Me ardhjen e PD-së në pushtet, ministri i parë i Brendshëm, i ndjeri Bashkim Kopliku, solli modelin e oficerëve të lartë të policisë nga jeta civile dhe e mbushi kupolën e uniformave blu me mësues fiskulture dhe agronomë.

Afrimi i oficerëve të policisë me politikën gjatë veprimtarisë së tyre këto vite, bëri që mjaft nga spaletat e uniformave blu u “shndërruan” në deputetë, kryetarë bashkish, kryetarë partish, e prej disa vitesh tashmë i kemi edhe panelista në emisionet e mbrëmjes në televizione.

Këtu jo vetëm sa vjen një qeveri vendos drejtorët e saj të policisë, por sa vjen një ministër emëron “12 apostujt” besnikë. Të cilët lëvizin sa vjen tjetri, e karriera e tyre rrëzohet, ndaj është krijuar tradita në vite e mbetjes së tyre pranë politikës. Sapo shkarkohen mësyjnë partitë, bëhen truproja apo komisionerë në zgjedhje, duke pritur ditën që të rikthehen sërish drejtora. Apo largohen jashtë vendit, punojnë atje, e kthehen sa ka zgjedhje duke ju atashuar kandidatëve që i shohin sit ë mundshëm për tu bërë ministra të Brendshëm.

E kështu policia e shtetit mbetet një institucion pa një dysheme dhe mure solide, e me një çati provizore që hiqet e vihet nga politika. Në vendet e Perëndimit, por edhe në rajon, oficerët e policisë janë asete publike që nuk kanë ardhur atje në bazë njohjesh politike, klanore, nepotike apo krahinore, por vetëm kur kanë kaluar faza të qarta dhe strikte provash dhe sfidash brenda uniformave blu.

Realisht, edhe në rastin e sotëm, refuzimi i Gledis Nanos për tu dorëhequr është një gjest i rëndësishëm. Pavarësisht shkaqeve të meritës apo problemeve që ai ka pasur, rezistenca për të mos u larguar është një precedent pozitiv që në të ardhmen i bën të ditur politikës se nuk mund t’i lëvizë si pulla poste oficerët e Polcisë së Shtetit, por edhe këta të fundit që të mos jenë nëpunës të bindur të politikës.

Gjithsesi kriteri i performancës, i objektivave apo edhe i marrëdhënieve me titullarët, në këtë rast ministrin e kryeministrin, natyrisht që ndikojnë. Por bota këto punë i ka zgjidhur me ligj e kontrata pune.

Joze Murinjo, sa për shembull nuk jep asnjëherë dorëheqjen kur shkon keq me drejtuesit e klubeve por pret që ta shkarkojnë, pasi shkarkimi si akt e bën të fitojë më shumë sesa kur punon e i bie bretku si trajnier.

Përtej shakasë, nxjerrja e Policisë së Shtetit nga Forcat e Armatosura me ligj në vitin 1992, e ktheu agjencinë më të rëndësishme të sigurisë kombëtare në një zyrë vasale të politikës. Ndërkohë që shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë emërohet me dekret të Presidentit me propozim të qeverisë, do të duhej që edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit të ketë një nomenklaturë të tillë. Ndërkaq, drejtorët e qarqeve të mos emërohen e shkarkohen sipas stinës politike, por në bazë të kritereve strikte dhe të blinduara.

Vetëm kështu krijohet një klasë e betonuar oficerësh të lartë, të cilët duke mos lëvizur, e njohin ditë pas dite më mirë situatën e sigurisë dhe mjedisin e krimit. E kështu kanë të gjitha gjasat për ta luftuar më me efikasitet, duke krijuar habitatin e “mbrojtësve të ligjit” që i ruan shteti, e jo oficerët part time që janë ndarë sipas ngjyrave të politikës apo edhe krahinave, duke krijuar kështu çeta paramilitarësh, e jo një polici shteti të denjë për një vend anëtar të NATO-s dhe që sapo ka hapur bisedimet për anëtarësim në BE.