Rishikohet për herë të dytë buxheti i shtetit, duke shtuar pritshmëritë për të ardhurat. Në aktin normativ për rishikimin e buxhetit thuhet se deri në fund të vitit do të mblidhen 576 miliardë e 831 milionë lekë, nga 546 miliardë e 811 milionë lekë që ishte parashikuar në aktin e parë normativ që u miratua në mars të këtij viti. Pritshmëritë për të ardhurat janë rritur me mbi 30 miliardë lekë.

Edhe totali i shpenzimeve të planifikuara është rritur nga 647 miliardë e 694 milionë lekë, në 660 miliardë e 694 milionë lekë duke pësuar një rritje prej 13 miliardë lekësh. Si pasojë e rritjes së të ardhurave në raport me shpenzimet Ministria e Financave ka rishikuar edhe nivelin e deficitit buxhetor duke e ulur me mbi 17 miliardë lekë, nga 100.8 miliardë lekë që ishte parashikuar në 83.8 miliardë lekë.

Në këtë akt normativ është rishikuar fondi i kontigjencës për paketën e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës. Nga 6 miliardë lekë që ishte paketa e parë, në këtë akt normativ është parashikuar shtimi edhe me 6.1 miliardë lekë për këtë zë duke e çuar në total 12.1 miliardë lekë. Me këtë shtim të buxhetit i hapet rruga miratimit të paketës së dytë të rezistencës sociale. Në akt specifikohet se 1 miliardë e 670 milionë lekë të këtij fondi do të përdoren për kompensimin e ndërtuesve që kanë kontrata publike për çmimet e rritura të materialeve të ndërtimit.

Ndërsa pjesa tjetër e fondit të kontigjencës, do të ndahet sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave se për cilat sektorë apo kategori do të përdoret./ shqiptarja.com

TË ARDHURAT
Ishte 546,8 mld lekë
Bëhet 576,8 mld lekë
Diferenca +30 mld lekë

SHPENZIMET
Ishin 647,6 mld lekë
Bëhen 660,6 mld lekë
Diferenca +13 mld lekë