Në 6 muajt e parë të vitit 2022, drejtuesve të mjeteve u janë vendosur 4 625 gjoba për errësimin e xhamave të makinave pa marrë lejë nga DPSHTRR. Blendi Gonxhja, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, bën apel për respektimin e normës së errësimit të xhamave, ndërsa publikoi dhe një rast të falsifikimit të dokumentacionit për vendosjen e xhamave të errët, çka solli prangosjen e pronarit të mjetit, i është u dënuar me 4 muaj burg, por i është konvertuar në 8 muaj shërbim prove.

Gonxhja iu bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të mos errësojnë xhamat pa marrë leje, pasi policia ka nisur kontrolle të ashpra dhe nuk do të tolerojë asnjë drejtues i cili paraqet certifikate falso, apo që ka errësuar xhamat mbi përqindjen e lejuar.

“Errësimi i xhamave të autoveturave, përtej normave, pa u certifikuar nga DPSHTRR ose me dokumente të fallsifikuara do t’ju hapë telashe të mëdha! Ndër fotot, rasti i një të dyshuari për falsifikim të certifikatës së miratimit të xhamave të errësuar, kallëzuar në Prokurori, referuar në Gjykatë, e cila ka vendosur dënimin me 4 muaj burg, ulur me dënimin përfundimtar me 8 muaj shërbim prove, ku në këto 8 muaj qytetari nuk duhet të kryejë asnjë shkelje tjetër, se shkon në burg! Policia Rrugore dhe Policia e Shtetit kanë nisur kallëzimet penale për rastet e certifikatave falso si, edhe po intensifikojnë kontrollet me matësa elektronik të ofruar nga DPSHTRR, paralel me komunikimin me sistemin e-DPSHTRR LIVE, për evidentimin e respektimit të % së tejçueshmërisë së dritës sipas rregullores së bazuar në Udhëzimin e MIE! Për kundërvajtësit, vetëm për periudhën Janar – Qershor 2022 janë vendosur 4,625 masa administrative për nenin 72/12 të Kodit Rrugor, ndërsa Qendrat e Kontrollit Teknik pranë DPSHTRR kanë refuzuar dhe hequr filmat errësues nga 8.4% e 250 mjeteve të testuara për këtë 6-mujor, që janë konstatuar me errësim mbi normat ose pa certifikimin e duhur, rrjedhimisht pa paguar tarifat përkatëse”, shkruan Gonxhe.

Për xhamat e përparmë anësorë, të drejtuesit të mjetit dhe pasagjerit, parashikohet nivel tejçueshmërie drite jo më pak se 50%. Për xhamat e pasmë anësorë dhe xhamin fundor, tejçueshmëria e dritës mund të jetë nga 10% deri në 70%.