Armand Duka, presidenti i FSHF-së, nuk shmanget kur bëhet fjalë për trajnerin e Kombëtares, Edi Reja.

Në një intervistë të dhënë për “RTSH”, Duka u shpreh se dy ndeshjet e muajit shtator në Ligën e Kombeve, janë vendimtare për të ardhmen e trajnerit italian.

“Trajnerit i përfundon kontrata realisht në nëntor, jo fiks pas përfundimit të ndeshjeve të shtatorit.

Dy ndeshjet e fundit të Nations League ndaj Izraelit dhe Islandës janë vërtetë shumë të rëndësishme. Ekzistojnë të gjitha mundësitë që ne t’i fitojmë të dyja ndeshjet, por edhe mund të mos fitojmë asnjë nga ndeshjet.

Pra, mund ta mbyllim edhe të parët grupin, por mund ta mbyllim edhe në vendin e fundit. Jemi në një farë mënyre me fat që nuk biem nga Liga B, por kemi edhe objektivin për të shkuar në Ligën A.

Çdo gjë mund të ndodhë në këto dy ndeshje dhe rezultatet mund të sjellin ndryshime apo vendime të reja. Trajneri dhe stafi i tij për mua kanë bërë një punë të mirë në ekipin shqiptar.

Kemi rritje, kemi elementë të ri në ekipin Kombëtar, kemi një numër futbollistësh akoma më të madh në dispozicion. Kështu që në përgjithësi kanë bërë një punë të mirë, por dy ndeshjet e shtatorit janë vendimtare për këtë kompeticion dhe për stafin”, deklaroi Duka.