Nga Dritan Hila

Nisur nga një video-koment që bëra lidhur me aksidentin tragjik të Himarës, ku shpjegoja teknikisht arsyet e aksidentit dhe çfarë duhet të bëjmë që të mos ndodhin rishtas, është shkëputur nga konteksti, çfarë them dhe përdoret për të ndezur revolucionin popullor.

Kush ka parë video-komentin e plotë e ka të qartë që nuk justifikohet ngjarja dhe autori, por trushplarëve iu mjafton ajo që iu ofron Berisha, dhe jo e vërteta.

Pas “Syrit”, tani e kanë marrë stafetën rrogëtarët në të zezë të Berishës dhe Metës.

Lidhja e emrit tim me qeverinë Rama, duke manipuluar faktet, nga momenti që shteti ndërmori hapat institucionalë për të zbardhur ngjarjen dhe dënuar autorin, ka si qëllim të sajojë një target që i çon tek Rama dhe të nisin demontimin e shtetit. Kjo është një praktikë që Berisha e ka përdorur në vitin 1991 kur rrëmbyen katër arkivolë dhe rrëzuan shtetin. Që nga ajo ditë Policia nuk e mori më veten. E kanë bërë në 98-ën kur me arkivolin e Azem Hajdarit sulmuan dyert e Kryeministrisë; e kanë bërë sa herë ndonjë kriminel vritej në përpjekje me forcat e rendit duke e shpallur hero të PD dhe e kanë bërë edhe pasi dolën nga Kuvendi duke sulmuar më shumë se godinat e Edi Ramës, Policinë e shtetit të shqiptarëve. Po e bëjnë sot, duke identifikuar një bandit si Arjan Tase me gjithë trupën policore, duke kërkuar që të implikohet e gjithë Policia.

Këtë rradhë makabriteti i Berishës po arrin majat duke përdorur arkivolin e një foshnjeje.

Nuk besoj se ka mbetur njeri në Shqipëri që nuk iu dhimbs foshnja, sikurse nuk ka mbetur njeri pa përbuzur Arjan Tasen.

Por në këto momente ajo që duhet të bëjë shteti është të ruajë gjakftohtësinë dhe mos bjerë në panik. Një kokainoman apo kriminel gjendet edhe në rradhët e Policisë, sikurse edhe në krye të opozitës. Një hajdut dhe minues demokracie si Berisha, që hedh turmën kundër institucioneve të shtetit, gjendet edhe në krye të opozitës por ai nuk përfaqëson çdo opozitar të këtij vendi, apo çdo qytetar të indinjuar.

Berisha dhe Meta kane për qëllim ta çojnë vendin në anarki, në mënyrë që qytetarët të vijnë në pikën, që më mirë të pranojnë pushtetin kleptokrat të dyshes, sesa anarkinë e rrugës. Këtë ka praktikuar Berisha, në gjithë karrierën e tij, herë duke djegur vendin dhe herë, kur me tufën e komitëve dilte rrugëve të Tiranës; sa me arkivol në dorë, sa me premtimet për arkivole.

Karriera e tij politike kalon nëpërmjet destabilizimit të shoqërisë, sulmit permanent ndaj institucioneve, duke synuar t’i çojë njerëzit në zgjedhjen e dëshpëruar, që më mirë në fund pranon dhunën shtetërore të Berishës, si më pak e keqe, krahasuar me dhunën e tij të rrugës.

Mitingu i djeshëm tregoi se prania e Berishës dhe Metës në miting përdhosi dhimbjen e qytetarëve. Janë miliona ata që iu dhimbs ajo foshnjë, që duan siguri në plazhe, në rrugë, në shtëpi dhe dënimin e autorit, por këtë nuk e presin nga dyshja që ishte dje në shesh.

Detyra e shtetit është të japë drejtësinë dhe mos të lejojë llumin e rrugës dhe demagogët që iu prijnë, t’i imponohet shumicës. Kush ka të drejtë, pastaj, e vendosin qytetarët në votimet e ardhshme.