Rinovimi i Certifikatës së Aftësimit Profesional (CAP) për të gjithë drejtuesit e mjeteve të transportit rrugor të mallrave dhe të pasagjerëve, realizohet shumë më shpejt dhe shumë më lirë. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) njofton se nga përshpejtimi i rinovimit të CAP përkundrejt kostove më të ulëta do të përfitojnë vetëm për vitin 2022 rreth 13,703 drejtues mjetesh të transportit të mallrave dhe të pasagjerëve me leje drejtimi të kategorive C1, C, C1E, CE, D1, D, D1E dhe DE. Kjo lehtësi ekonomike e praktike vjen në kohën e duhur për të ndihmuar e mbështetur sektorin e transportit rrugor në situatën post-pandemike, pasuar nga vështirësitë e krizës globale të çmimeve, por edhe në vijim të vizionit të DPSHTRR për thjeshtim e lehtësim të sa më shumë praktikave periodike të transportit rrugor, me prioritet uljen e kostove për sektorët jetik dhe me ndikim në zinxhirin ekonomik.

Më parë për të rinovuar CAP, drejtuesi i mjetit duhet të frekuentonte kurs rreth 30 ditë e më pas t’i nënshtrohej ritestimit teorik. Tashmë, ky proces është eliminuar duke eliminuar kështu tarifën 48,000 lekë (e përllogaritur mesatarisht). Gjithashtu, nga 31 ditë që nevojitej përpara, me thjeshtimin drastik të këtij shërbimi, drejtuesi i mjetit e përfiton për 1 ditë kartonin e CAP pranë sporteleve të drejtorive rajonale. Kosto e rinovimit është ulur me rreth 86% nga 55,500 lekë mesatarisht (kursi 48,000 lekë + vizita mjekësore 4,000 lekë + kartoni i CAP 3,500 lekë) në 7,500 lekë (vizita mjekësore + kartoni CAP)!

Vetëm gjatë periudhës qershor-korrik 2022, nga aplikimi i këtyre lehtësive (13.06.2022), kanë përfituar 1,760 qytetarë. Kjo shifër e konsiderueshme përfituesish përkthehet në kohën e kursyer 52,800 ditë kohë pritje dhe afërsisht 85,000,000 lekë të kursyera falë uljes së kostove dhe rinovimit brenda ditës.

Kursim monetar dhe kohe për dhjetëra mijë shoferë të transportit rrugor shqiptar, heronjtë e heshtur të rrugës!

DPSHTRR vijon t’i shërbejë qytetarëve nën moton “Më Lehtë, Më Shpejt, Më Lirë”. Për më shumë informacion, qytetarët mund të vizitojnë e kontaktojnë në faqen zyrtare: www.dpshtrr.gov.al