Një në tre mjete nuk kalon dot kontrollin teknik për shkak të defekteve në sistemet e frenimit, drejtimit, shkarkimit të gazrave, etj.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor informoi se gjatë 7 mujorit të parë të këtij viti janë paraqitur për testim mbi kontrollin teknik 205 355 mjete, nga të cilat 61 993 ose 30.2% e totalit te mjeteve nuk e kanë kaluar.

DPSHTRR bën të ditur se mjetet e rrezikshme për jetën e të gjithë përdoruesve të rrugës, nuk e kalojnë dot më testin e kontrollit teknik.

“1 në 3 mjete rrugore nuk kalojnë testin e kontrollit teknik. Arsyet e kësaj gjendjeje lidhen fatkeqësisht edhe me të shkuarën e hidhur të shërbimit, kur kontrolli i duhur mungoi e i dha kurajo papërgjegjshmërisë. Por kohët kanë ndryshuar dhe situata të tilla nuk do të tolerohen më kurrë”, bën të ditur DPSHTRR.

DPSHTRR u bëri apel drejtuesve të mjeteve të riparojnë në afatet ligjore mjetet rrugore dhe të kontrollojnë mjetin përpara çdo udhëtimi.