OKB njofton se çmimet e ushqimeve në korrik të këtij viti jo vetëm kanë shënuar rënie, por janë edhe 8.6% më të ulëta se para luftës Rusi-Ukrainë. Kështu, në bursën e Çikagos gruri kuotohet 99 dollarë më pak se në muajin janar.

Marrëveshja e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia, që çliroi eksportin e drithit ukrainas të bllokuar prej muajsh nga ushtria ruse, pati ndikim të drejtpërdrejtë në reduktimin drastik të çmimit të ushqimeve. Organizata për Bujqësinë dhe Ushqimin (FAO) njoftoi një rënie të Indeksit mujor të çmimeve të ushqimeve në gjithë botën gjatë muajit Korrik.

Bëhet fjalë për reduktimin më të madh mujor që prej vitit 2008. Ky indeks arriti kuotën e 140.9 pikëve në Korrik dhe kjo përbën rënien e katërt mujore radhazi. Sipas kësaj organizate, marreveshja po jep sinjale pozitive kryesisht ëpr vendet që vuajnë nga uria.

Pra, situata e krijuar nga lufta grabitqare dhe kriminale e Vladimir Putin ndaj Ukrainës për herë të parë po ‘thyhet’ falë rifillimit të eksporteve. Por kjo panoramë e fundit për ushqimet bazë nuk pasqyrohet aspak në Shqipëri ku me gjasë çmimet nuk diktohen nga tregjet globale, por nga spekulimi.

Që në muajin e parë të luftës, çmimet e të paktën 30 mallrave të shportës pësuan rritje me 20% krahasuar me ato para se të niste pushtimi rus. Sipas listës së çmimeve, rritjen më të madhe në vlerë e patën yndyrat, mielli dhe nënproduktet e tij, hidrokarburet etj. Çmimet e vajit dhe gjalpit kishin përqindjet më të larta të rritjes. Një kg gjalp shitet me 1,000 lekë nga 682 lekë në janar, me një rritje 46.6%, ndërsa çmimi për një litër vaj u rrit me 40% duke shkuar në 320-330 lekë për kg nga 228.1 lekë që ishte në janar 2022.

Çmimet e yndyrave u rritën me shpejtësi pasi vendet në konflikt kryesojnë listën e eksporteve të vajit dhe lëndës së parë për këtë produkt. Në panik se lufta do të shkaktonte mungesa të ushqimeve bazë, qytetarët kryen blerje të pazakonta duke zbrazur raftet e marketeve. Nga ana tjetër, qeveria zbatoi atë që quhet Paketa e Rezistencës Sociale ku parashikoi 3.3 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve dhe 1.45 miliardë lekë mbështetje për fermerët.

Por para tendencës së re të konsumit duket se importuesit dhe prodhuesit më të mëdhenj në vend shfrytëzuan situatën për t’i rritur më tej çmimet e ushqmimeve. Sot që FAO ka njoftuar rënien e tyre në rang global që prej korrikut, në Shqipëri duket se çmimet e larta janë ‘çimentuar’ duke shfrytëzuar mungesën e kontrollit.

Më poshte tabela e çmimeve para dhe pas luftës Rusi-Ukrainë sipas të dhënave të INSTAT.