Kandidaturat e përbashkëta për organizimin e turneve madhorë janë kthyer në modë. Por, në Amerikën e Jugut kanë tejkaluar çdo parashikim. 4 shtete hapën zyrtarisht garën për zhvillimin e Botërorit 2030, edicioni special i 100-vjetorit të trofeut më të rëndësishëm në botë.

Uruguaji, Argjentina, Paraguaji dhe Kili kërkojnë të drejtën e organizimit të evenimentit dhe këtë e bënë nga stadiumi “Centenario” i Montevideos, aty ku në vitin 1930 u luajt finalja e parë e Kupës së Botës. Në atë ndeshje, Uruguaji triumfoi 4-2 përballë Argjentinës.

Alejandro Dominguez, President i CONMEBOL, u shpreh: “Ndodhemi në këtë vend ikonik, aty ku nisi historia. Ky nuk është projekti i një qeverie, por ëndrra e të gjithë kontinentit. Do të ketë edhe edicione të tjera, por 100-vjetori do të festohet vetëm një herë”.

Ideja për kandidimin e përbashkët të disa vendeve latine për turneun e vitit 2030 u propozua për herë të parë nga Uruguaji dhe Argjentina në vitin 2017. Dy vjet më pas, u kristalizuan edhe katër shtetet organizatore, por u nevojitën edhe 5 vjet të tjerë që kandidatura të bëhej zyrtare.

Eventi do të luhej në 14 stadiume të ndryshme, edhe sepse prej vitit 2026 Botërori do të zgjerohet me 48 ekipe pjesëmarrëse. Detajet e tjera nuk janë bërë publike, por ato do t’i prezantohen FIFA-s në maj të vitit 2023.

Një vit më pas, Konfederata Botërore e Futbollit do të përzgjedhë vendin ose vendet organizatore të eventit. Në garë janë edhe Spanja e Portugalia si bashkorganizatore, teksa Maroku ende nuk e ka konkretizuar dëshirën të rikthejë trofeun në Afrikë.