Bordi i Transparencës ka vendosur sot uljen e çmimit të naftës.

Sipas vendimit, çmimi tavan i tregtimit me pakicë të naftës do të jetë 216 lekë nga 220 lekë që ishte më parë. Ky është vendimi i dytë për ulje, ndërsa pak ditë më parë Bordi kishte vendosur uljen vetëm me 1 lekë për litër.

Ndërsa benzina është shtrenjtuar me një lek, nga 199 lekë në 200 lekë për litër, ndërsa në vendimin e mëparshëm ishte ulur me 8 lekë për litër.

Gazi ka mbetur në 80 lekë për litër.

Rënia reflekton uljen e çmimit në naftës në bursa ndërkombëtare, ndonëse me ritme më të ulëta sesa ka rënë në tregjet e jashtme. Operatorët kanë shpjeguar se kjo lidhet me rritjen e kostove të tjera të transportit, pasi furnitorët kryesore europianë nuk po e marrin më naftën nga Rusia, por nga shtete të tjera më të largëta.

Çmimi i naftës së papërpunuar në bursa, treguesi Brent, ka rënë së fundmi në rreth 96 dollarë për fuçi, duke arritur në nivelet e para sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, pas të cilit, Brent arriti deri në 130 dollarë për fuçi.