Ministri belg i Energjisë ka paralajmëruar se vendet e Bashkimit Europian do të përballen me dimër të tmerrshëm nëse nuk bëhet asgjë për të ulur çmimin e gazit natyror.

Ai kërkon që të vendoset një çmim tavan për gazin në të gjithë BE-në dhe të ndahet nga çmimi i energjisë elektrike.

Vendet e BE-së po përballen me rritje të madhe të çmimit të energjisë elektrike për shkak të sanksioneve që i janë vendosur Rusisë pas luftës që nisi në Ukrainë.

Rusia furnizon BE-në me 40% të gazit të saj, por pas sanksioneve që janë vendosur nga vendet e BE që mbështesin Ukrainën, ka reduktuar ndjeshëm furnizimet me gaz.

Sipas ministrit belg, Tinne van der Straeten, lidhja midis çmimit të gazit dhe energjisë është artificiale dhe duhet të reformohet. Ai ka kërkuar gjithashtu që të pezullohet urgjentisht çmimi i gazit në Europë.

Çmimet e energjisë elektrike kanë arritur në nivele rekord këtë javë në Europë. Gazi është burimi kryesor i prodhimit të energjisë elektrike në vendet e BE-së.

“Ne nuk mund të lejojmë që Presidenti rus Vladimir Putin të përcaktojë çdo ditë çmimin evropian të energjisë”, tha ministri Straeten.

Gjermania ishte importuesi më i madh i gazit rus në vitin 2020 dhe ka reduktuar ndjeshëm konsumin e gazit natyror me qëllim për të krijuar rezerva në dimër.