Në këto ditë të nxehta vere, krahas kujdesit të veçantë për bimësinë, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit i kushton një vëmendje të madhe edhe pastrimit të liqenit nga çdo papastërti në sipërfaqe e brendësinë e tij. Prej disa ditësh, punonjësit e APR-së kanë nisur punën me anë të një makinerie të posaçme, për heqjen e çdo papastërtie në brendësi të liqenit, përfshi edhe barërat.

Prej tre vitesh, Organizata Ndërkombëtare ‘White Flag’ ka certifikuar Liqenin Artificial të Tiranës si një liqen të pastër, duke mundësuar zhvillimin e lojërave të ndryshme të ujit.

Parku i Madh i Liqenit Artificial përbën masivin më të madh të gjelbërimit në qytetin e Tiranës. Shtatë vitet e fundit parku është transformuar tërësisht, duke u rivitalizuar dhe duke u kthyer në një mushkëri të shëndetshme për kryeqytetin. Krahas shtimit të gjelbërimit, janë ndërtuar dhe vende argëtimi për fëmijët si dhe korsi biçikletash dhe pista vrapimi.