Nga Sam Lichtenstein “Stratfor”

Mund ta quani “konflikti i targave” ose diçka tjetër. Dy javë më parë, mediat botërore mbuluan intensivisht shpërthimin e shkurtër të protestave në veri të Kosovës. Një mosmarrëveshje e përsëritur mbi targat, bëri që serbët etnikë të bllokonin rrugët dhe i detyroi autoritetet kosovare të mbyllnin për një kohë të shkurtër dy pikat kufitare me Serbinë.

Po ashtu, policia kosovare deklaroi gjithashtu se persona të panjohur qëlluan me armë ndaj tyre, edhe pse nuk pati të lënduar. Ndërkohë disa demonstrues serbë thuhet se rrahën disa shoferë që u përpoqën të anashkalonin postblloqet. Protestat nisën më 31 korrik dhe përfunduan më 1 gusht.
Në varësi të këndvështrimit tuaj apo mediave që preferoni t’i referoheni, incidenti ishte ose “shumë zhurmë për asgjë” ose një shenjë paralajmëruese të një rikthimi të mundshëm tek konflikti etnik. Por siç ndodh shpesh me inkuadrimin e ngjarjeve në “gjithçka” ose “asgjë”, këto indicente nuk duhet të anashkalohet dhe meritojnë një vëmendje të vërtetë.
Por nga ana tjetër ato nuk tregojnë se Kosova, apo rajoni më i gjerë i Ballkanit, janë të rrezikuara të shkojnë drejt kolapsit, drejt një dhune të shumë-përhapur siç ndodhi në vitet 1990. Përkundrazi, mosmarrëveshja mbi targat është një simptomë e një sfide shumë më të madhe, çështjes së pazgjidhur të identitetit etnik.
Protestat e 31 korrikut nuk ishin të paprecedenta. Kjo mosmarrëveshje ekziston që nga shtatori i vitit 2021, kur autoritetet kosovare njoftuan për herë të parë se nuk do të rinovonin një marrëveshje 10-vjeçare me Serbinë për njohjen e targave të saj në Kosovë. Prishtina tha se kjo qasje përputhet me rregullat e nxjerra nga Beogradi, që nuk njeh ende targat e Kosovës.
Gjithsesi, edhe para 1 viti serbët e Kosovës Veriore bllokuan përkohësisht pikat kufitare, ku pati raporte sporadike për akte të vogla dhune në rrugë, përpara se autoritetet kosovare të tërhiqeshin nga ky vendim dhe situata të shtensionohej. Ndërsa konflikti ka të bëjë me targat, ai bazohet tek ndarje shumë më të thella që shpjegojnë arsyen e shpërthimit të herëpashershëm të trazirave.
Edhe pse marrëveshjet e ndryshme të paqes i dhanë fund luftimeve që shoqëruan konfliktet gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990, ato lanë pa përgjigje shumë pyetje themelore, shumica prej të cilave prekin çështjet e identitetit etnik. Si një nga çështjet më të mëdha rajonale, mosmarrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë prek dy sfida themelore.

Së pari, është çështja e lartpërmendur e legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës. Mosmarrëveshja është zyrtarisht politike, dhe në teori mund të zgjidhet. Por ka gjithashtu edhe një dimension etnik, pasi shumica dërrmuese e popullsisë së Kosovës janë etnikisht shqiptarë dhe myslimanë, ndërsa Serbia banohet kryesisht nga serbë entikë dhe të krishterë.
Kësaj ndarje i shtohet edhe fakti se më shumë se gjysma e pakicës serbe të Kosovës është e përqendruar në rajonin më verior të Mitrovicës, në kufi me Serbinë, duke e bërë atë etnikisht të dallueshëm nga pjesa tjetër e Kosovës, dhe duke ndihmuar në shpjegimin e arsyes se përse atje janë përqendruar protestat mbi mosmarrëveshjen për targat.
Shumë studime akademike janë marrë me pyetjen nëse konfliktet etnike në këtë rajon, kanë të bëjnë vërtet me identitete konkurruese, apo nëse janë në fakt mosmarrëveshje të mbuluara mbi çështje të tjera, si pushteti politik dhe qasja në burimet natyrore. Në çdo rast fakt është se konflikte të tilla mund të shkaktojnë përçarje serioze, sidomos kur mbivendosen dallimet etnike dhe ankesat materiale.
Edhe pse tensionet me ngjyrim etnik midis Kosovës dhe Serbisë ishin ato që bënë kohët e fundit lajm, ndoshta kërcënimi më i madh për trazira është në Bosnje Hercegovinë, një vend tjetër ballkanik me një pakicë të madhe dhe të dëshpëruar serbe.
Atje, qeverisja e decentralizuar ndahet në 2 entitete kryesisht autonome: Federata Boshnjako-Kroate e Bosnje Hercegovinës dhe Republika Srpska e dominuar nga serbët. Ky sistem i ndërlikuar, që përfshin edhe një presidencë trepalëshe, u krijua nga Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995 që i dha fund Luftës së Bosnjës.
Ndërsa marrëveshja e paqes e ndërmjetësuar nga SHBA-ja i dha fund luftës 3-vjeçare, e bëri këtë me koston e krijimit të një strukture të paqëndrueshme qeverisëse që ka paralizuar në mënyrë efektive vendin dhe ka rrënjosur dallimet etnike. Kjo ka shkaktuar shumë kriza në Bosnje Hercegovinë.
Ato janë shkaktuar vitet e fundit nga politikani serb boshnjak i vendit, Milorad Dodik. Dodik udhëheq Republika Srpska dhe bën shpesh thirrje politike që thellojnë ndarjet etnike. Ai ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur se do të largojë Republikën Srpska nga institucionet kombëtare, një akt që do të minonte drejtpërdrejt paqen e dobët të pasluftës.
Por pavarësisht se shpeshherë mediat pyesin nëse Ballkani po shkon drejt një lufte tjetër, raportime të tilla janë shpesh të ekzagjeruara. Sepse pavarësisht nga dallimet e tyre, shtetet e Ballkanit ndajnë një dëshirë për t’u integruar më thellë në Evropë, dhe në shumë aspekte varen nga Perëndimit për ndihmën ekonomike dhe garancitë e sigurisë.
Më e rëndësishmja: çdo vend në rajon ose është tashmë një anëtar i BE-së (Kroacia dhe Sllovenia), një “vend kandidat” zyrtar i angazhuar në negociatat e vazhdueshme me Brukselin (Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia), ose një “vend kandidat potencial” për anëtarësim në BE (Bosnje-Hercegovina dhe Kosova).
Kësisoj, që të gjitha shtetet e Ballkanit janë shumë të motivuara për të ruajtur paqen, pasi çdo rikthim tek dhuna do të rrezikonte procesin e tyre të anëtarësimit, dhe përfitimet e shumta që ata shpresojnë të fitojnë duke u bashkuar me Bashkimin Evropian.
Bashkimi Evropian është tashmë partneri kryesor ekonomik për vendet e rajonit. Prandaj tendosja e marrëdhënieve me BE-në duke u përfshirë në konflikt, nuk është thjesht një shqetësim konceptual afatgjatë, por një shqetësim që do të kishte pasoja të menjëhershme edhe për ekonomitë e Ballkanit.
Kombinuar me ndikimin historik politik dhe ekonomik të SHBA-së (siç dëshmohet nga roli i Uashingtonit në dhënien fund të luftërave jugosllave të viteve 1990), ndikimi i Bashkimit Evropian mbi Ballkanin është një levë thelbësore që ka ndihmuar herë pas here në qetësimin e tensioneve.
Për më tepër, prania e paqeruajtësve dhe këshilltarëve të BE-së dhe NATO-s në terren në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë, ofron një kontroll të dukshëm të konfliktit në dy vatrat më të mëdha potenciale për krizat në rajon, duke parandaluar dhunën dhe duke siguruar që kur shpërthejnë trazirat të mbeten minimale.
Megjithatë, veprimet e aktorëve të jashtëm – Rusisë dhe Kinës – janë gjithashtu kyçe për vlerësimin e stabilitetit rajonal. Rusia e ka parë historikisht Ballkanin si pjesë e sferës së saj të ndikimit. Kjo ka kontribuar jo pak tek korrupsioni, paraliza politike, rritja e militarizimit dhe sfidave të tjera që kanë prekur vendet e Ballkanit.
Ndikimi i Moskës është më i theksuar në Serbi, me të cilin ndan një sërë lidhjesh praktike dhe simbolike. Sidomos në Serbi, por edhe në gjithë rajonin, propaganda ruse (përfshirë keq-informimin se një “luftë” kishte shpërthyer mes Kosovës dhe Serbisë dy javë më parë) ka synuar të shfrytëzojë tensionet etnike dhe ndarjet e tjera në një përpjekje për të mbajtur shtetet e rajonit që të mos rreshtohen me Perëndimin.
Madje Moska është akuzuar për përpjekje për të nxitur një grusht shteti (të dështuar) në Malin e Zi në vitin 2016, si pjesë e një fushate më të madhe destabilizimi për të parandaluar anëtarësimin e vendit në NATO (gjë që ndodhi vitin e ardhshëm). Dhe pas pushtimit rus të Ukrainës në fillim të këtij viti, është rritur frika se presidenti Vladimir Putin mund të ndërmarrë lëvizje agresive në Ballkan për të destabilizuar më tej dinamikën politike dhe të sigurisë në Evropë.
Edhe Kina përfaqëson një sfidë, kryesisht në rrafshin ekonomik, por gjithnjë e më
shumë edhe politikisht dhe ushtarakisht. Një pjesë e madhe e ndikimit të Bashkimit Evropian në Ballkan janë përfitimet e mëdha ekonomike që do të sillte anëtarësimi. Por sa më gjatë të zgjasë procesi i anëtarësimit, aq më shumë ka gjasa që shtetet rajonale të fillojnë të kërkojnë diku tjetër për lidhje ekonomike, një boshllëk që Pekini është përpjekur të plotësojë me padurim.
Së fundi, ekziston një aktor i tretë i jashtëm, Turqia, e cila gjithashtu luan një rol në rajon, megjithëse në fund të fundit ndikimi i saj ka qenë më shqetësues për kryeqytetet perëndimore. Në përgjithësi, Turqia ka luajtur rolin e investitorit të huaj, por gjithashtu ka konkurruar për ndikim në aspektin fetar duke përhapur markën e saj të Islamit.
Pekini, Brukseli apo Moska? Nëse Bashkimi Evropian dhe NATO dështojnë të ofrojnë shtigje konkrete të anëtarësimit të vendeve të rajonit dhe shtetet perëndimore e humbasin interesin për Ballkanin, llogaritë e udhëheqësve rajonalë mund të ndryshojnë.
Kjo mund të hapë derën për një ndikim më të madh rus dhe kinez ose madje mund të krijojë terrenin që një lider rajonal të vërë bast se një provokim i madh do ta shtynte Perëndimin të bënte lëshime, në vend se ta shohë një vend ballkanik të lëvizte drejt Moskës ose Pekinit.