Një matematicient dhe student premtues i mjekësisë, i cili kishte lindur në Kosovë, e ka djegur veten për vdekje përpara syve të djalit të tij adoleshent në një qytet jo shumë larg Londrës, pasi kishte 250,000 paund apo 295 mijë euro borxhe në kumar, shkruan Daily Mail.

Bylent ‘Bill’ Troshupa, 53 vjeç me prejardhje nga Prishtina, i cili u largua nga Kosova për shkak të regjimit të ish-Jugosllavisë drejt Londrës, ishte zemëruar dhe i çrregulluar pasi kishte humbur mijëra baste 12 orë në ditë gjatë pandemisë me firma përfshirë “William Hill” dhe “888”.

Pas kësaj situate martesa e tij ishte prishur dhe sipas një urdhri, atij i ishte ndaluar ta vizitonte gruan Julie Martin, 51 vjeç, dhe djalin e tyre 16-vjeçar.

Por babai i dy fëmijëve kishte mbërritur me një thikë, kanaçe me karburant dhe zarf plot me para, ndërsa djali i tij ishte i vetëm në shtëpi nëntorin e kaluar.

Ai filloi ta përplaste derën duke kërkuar që të futej brenda para se t’i linte paratë përmes kutisë së letrës, duke u larguar dhe duke ia vënë flakën vetes.

Djali i shqetësuar e kishte telefonuar nënën e tij ndërsa ajo po kthehej me veturë në Waltham Abbey, Essex, nga puna rreth orës 20:30 duke i thënë se babai i tij po digjej në zjarr jashtë.