Ka shkuar në 12 numri i viktimave nga aksidenti tragjik në një autostradë në Kroaci, ku një autobus me targa polake ka dalë nga rruga.

Sipas përditësimit të fundit nga aksidenti kanë mbetur të lënduar 31 pasagjerë, 18 prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Autobusi, i cili doli nga rruga në autostradën A4 në Podvorec, rreth 50 km në veri të kryeqytetit Zagreb, po transportonte pelegrinë katolikë nga Polonia.

Sipas informacioneve aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 05:30. Në autobusin, i cili doli nga rruga dhe ra brenda një kanali, kishte pelegrinë që ishin nisur për në Medjugorje nga qyteti polak i Tomaszoë Mazowiecki, i cili është rreth 1350 km nga destinacioni përfundimtar.

Nuk ka ende të dhëna mbi shkaqet e aksidentit apo rrethanat në të cilat ka ndodhur, por paraprakisht dyshohet se shoferin e ka zënë gjumi në timon.

Autobusi kishte destinacion Bosnjen Jugore.

Konkretisht pelegrinët katolikë ishin nisur për të shkuar në Medjugore, një zonë ku ndodhet një vend shenjtë i lashtë romak për besimtarët e fesë katolike.

Sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Polonisë, Zrtarët nga ambasada polake në Kroaci janë nisur këtë mëngjes për në vendngjarje për të parë nga afër situatën.

“Të gjitha viktimat janë shtetas polakë, në këtë pikë mund ta konfirmojmë këtë”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme polake për medien kroate TVN24.

Policia shkoi në vendngjarje dhe po kryen hetimet. Ndërsa ekipet e zjarrfikësve bënë të mundur nxjerrjen e viktimave dhe të plagosurve nga autobusi.