Si fillim u duk si një lajm rutinë, por vizita një javore e kupolës së SPAK dhe BKH, drejtuesve të saj dhe disa prokurorëve që kanë nëpër duar disa nga çështjet më të nxehta të politikës, qeverisë dhe krimit të organizuar nëpër duar, paralajmëron zhvillime tronditëse në radhët e pushtetarëve të lartë shqiptarë të korruptuar.

“Qëllimi i vizitës është prezantimi i SPAK dhe arritjeve të tij, si dhe forcimi i bashkëpunimit të SPAK me institucionet e zbatimit të ligjit në SHBA, me synim rritjen e intesitetit të ushtrimit të ndjekjes penale ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave dhe konfiskimit të aseteve kriminale në Shqipëri”, thuhej në një deklaratë të shpërndarë për mediat nga ana e SPAK.

Sinjalet e qarta janë dhënë direkt pas kthimit të tyre nga Uashingtoni, ku për herë të parë Ilir Meta është vënë përpara hetimit.

Menjëherë pas kthimit nga Uashingtoni, Prokuroria e posaçme nisi hetimet ndaj ish presidentit Ilir Meta për dy akuza. Korrupsion pasiv dhe falsifikim i formularëve janë dy veprat penale për të cilat po zhvillohen hetimet nga SPAK.

Kjo strukturë pritet të dërgojë letërporosi në SHBA në lidhje me shpenzimet e kryera nga LSI për lobimet me qëllim ballafaqimin e pagesave të kryera jashtë vendit me pasqyrat financiare të deklaruara në Shqipëri.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i japin një rëndësi të veçantë, SPAK-ut. Ata e ngritën, e financuan dhe po e trajnojnë, sikurse po i sigurojnë mbrojtje ndaj sulmeve të politikës.