Mes mijëra turistëve që kanë vizituar vendin tonë këtë verë ishte edhe një turist i veçantë. Thair Abud është inxhinier austriak që ka vendosur të vizitojë botën me këmbë.

Thair Abud ka nisur maratonën e tij që nga prilli i vitit 2018-s. Synimi i tij është të përshkojë më këmbë distancën që bashkon dy hemisferat.

Në prill të 2018-s u nis nga Nordkapp në Norvegji për të shkuar në Cape Town në Afrikën e Jugut.

Pjesë e rrugëtimit të tij këtë vit ishte Shqipëria, ku për 2 muaj ai ka përshkuar rreth 800 km nga Veriu në Jug.

Për Euronews Albania inxhinieri austriak rrëfeu detaje nga udhëtimi i tij në Shqipëri.

“Rrugëtimi ka nisur nga Shkodra, Lezhë, Tiranë, Durrës, pastaj në Fier, Berat dhe më tej ngjita malin e Tomorin, Përmet dhe që andej në Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë, Butrint pastaj kam kaluar kufirin për në Greqi”, tha austriaku.

Abud thotë se Shqipëria është ndër vendet më të sigurta ku ai ka udhëtuar.

“Kam udhëtuar në shumë vende, por në vetëm 5 prej tyre jam ndjerë i sigurt dhe Shqipëria është një prej tyre”, tha ai.

Ajo çfarë i ka bërë më shumë përshtypje është mikpritja dhe ftesa e banorëve për që tenderuar në shtëpitë e tyre…

“Njerëzit shpesh më ftonin në shtëpitë e tyre dhe më tregonin si jetonin, në disa vende më kanë lënë të fle të shtëpinë e tyre. Vetëm 10 minuta pasi kisha folur me njerëzit në rrugë, njerëzit më ftonin në shtëpi, këtë s’e kam hasur në vende të tjera që kam vizituar”, rrëfeu inxhinieri austriak.

Aventura e tij nëpër botë nuk ka një kosto të lartë. Inxhinieri austriak thotë se mesatarisht shpenzon çdo ditë 30 euro për ushqim dhe fjetje.