Ukrainë feston Ditën e Pavarësisë sot në 24 gusht, saktësisht 6 muaj pas fillimit të agresionit rus në 24 shkurt të këtij viti.

U vendos që eventi të shënohej me një ceremoni të heshtur në Kiev, nga frika e shenjestrimit të turmave nga sulmet ruse, sidomos pas vrasjes së vajzës së këshilltarit kryesor të Vladimir Putinit, Aleksandër Dugin, për të cilën Moska fajësoi shërbimin sekret ukrainas. Presidenti Volodimyr Zelensky u shfaq sfidues në fjalimin e tij, e u zotua se rusëve nuk do t`i bëhet asnjë lëshim apo kompromis.

Zelensky : Nuk na intereson se çfarë ushtrie keni ju, na intereson toka jonë. Kemi 6 muaj që rezistojmë. Është e vështirë, por mblodhëm grushtat e po luftojmë për fatin tonë. Çfarë do të sjellë fundi i kësaj lufte për ne? Dikur thonim paqe, tani themi fitore. Çdo ditë e re është arsye që yë mos heqim dorë. Do të rimarim Donbasin e Krimenë, sado e vështirë që të jetë. Për ne, Ukrainë është e gjithë Ukraina, të 25 rajonet, pa asnjë lëshim.

Kërcënimi për Ukrainën dhe popullin e saj është po aq i rëndësishëm sot sa ishte edhe 100 vjet më pare, thotë analisti Roman Gonçarenko. Në atë kohë, bolshevikët rrëzuan pavarësinë e shkurtër të Ukrainës dhe më pas rusizuan Ukrainën sipas traditës së Rusisë cariste. A mund të përsëritet historia? Nuk ka dyshime se Putini synon të bëjë pikërisht këtë.

Nga territoret e pushtuara nga Rusia po vijnë raporte se si çdo gjë ukrainase, veçanërisht gjuha, po shtypet dhe shkatërrohet. Plani i çmendur i Putinit është të asgjësojë Ukrainën me një luftë shkatërrimtare. Por ai do të dështojë, vazhdon Gonçarenko. 31 vite kanë kaluar që kur vendi u shkëput nga dominimi rus nën Bashkimin Sovjetik. Për Zelenskyn, pas pushtimit të Moskës, vendi i tij praktikisht ka “rilindur”.

Zelensky: Një komb i ri u shfaq në botë në 24 shkurt në orën katër të mëngjesit. Ai nuk lindi, por rilindi. Një komb që nuk qau, nuk bërtiti dhe nuk u tremb. Një komb që nuk u tërhoq, nuk u dorëzua. Këtë mos e harroni.

6 muaj nga nisja e konfliktit, Ukraina po përpiqet t`i shtyjë forcat ruse në jug, teksa ato tentojnë lëvizjen drejt lindjes. Në Krime, trupat dhe pajisjet ushtarake të Moskës janë shënjestruar këto ditët e fundit nga sulmet e dronëve ukraine.

Presidenti rus, Vladimir Putin,vazhdon ta quajë luftën një “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Ndërda konflikti atje zvarritet, sanskionet e ashpra perëndimore vazhdojnë të godasin ekonominë e Rusisë, ndërsa Moska e pagoi ndërhyrjen e saj edhe me shembjen e idesë së madhështisë së vet pasi këto 6 muaj, përpara syve të botës është zbehur ndjeshëm imazhi i hershëm i fuqisë ushtarake dhe ekonomike të vendit.