Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave Arben Ahmetaj po merr pjesë në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës, e cila zhvillohet në Lugano, Zvicër. Konferenca ka për qëllim të iniciojë procesin politik për rimëkëmbjen e Ukrainës pas invazionit rus.

Pjesëmarrës në Konferencë janë përfaqësues të nivelit të lartë, përfshirë Presidentin njëkohësisht Ministër i Jashtëm i Zvicrës Ignazio Cassis, Presidenten e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen, Kryeministrin e Ukrainës Denys Shmyhal, përfaqësues të lartë të vendeve të BE si edhe drejtues të OECD, BERZH, Bankës Botërore dhe institucione të tjera ndërkombëtare. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy ka përshendetur gjithashtu punimet gjatë Sesionit Plenar përmes një video konference.

Si vend anëtar i NATO-s dhe në cilësinë e Kryesueses së Presidencës së Këshillit të Sigurisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara përgjatë muajit Qershor 2022, Shqipëria ka dënuar dhe dënon ashpër sulmin e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë dhe i eshtë bashkuar thirrjes së partnerëve dhe aleatëve tanë strategjikë për respektimin e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës.
Shqipëria ka luajtur një rol proaktiv në këtë situatë të paprecedentë, si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB, duke u angazhuar përgjatë presidencës së saj të qershorit ne Keshillin e Sigurimit, në avancimin e përgjigjes globale ndaj agresionit rus në Ukrainë. Shqipëria iu bashkua pa asnje hezitim sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë nga vendet e NATO dhe BE. Në të njëjtën kohë Shqipëria ka mirëpritur dhe do të mirëpresë qytetarët nga Ukraina që janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të luftës.

Gjatë punimeve të Konferencës, Ahmetaj eshtë takuar me Presidentin dhe Ministrin e Jashtëm të Zvicrës Ignazio Cassis, Kryeministrin e Ukrainës Denys Shmyhal, Kryetarin e Kuvendit të Ukrainës Ruslan Stefanchuk, si dhe ka zhvilluar një takim bilateral me Sekretaren e Shtetit dhe Kryesuesen e Negociatave me BE të Konfederatës së Zvicrës znj. Livia Leu.

Palët ndanë qendrimin e përbashkët se invazioni rus në Ukrainë përfaqëson një rrezik të shtuar edhe për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe duhet të shërbejë si një sinjal i qartë për NATO dhe BE për marrjen e masave të nevojshme dhe në kohën e duhur, që vendet e rajonit që aspirojnë integrimin në familjen e përbashkët euro-atlantike, të mund të përmbushin sa më shpejt aspiratat e tyre. Theks i vecantë u vendos në përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut pas vendimit të Parlamentit Bullgar për heqjen e VETO-s ndaj Maqedonisë së Veruit.