Nga Ylli Pata/

Prej ditësh tashmë i gjithë arsenali i opozitës, me deputetë e magjistratë, gazetarë e avokatë, analistë e panelistë, së bashku me Sali Berishën në krye, janë vënë në mbrojtje të Ervin Saljanjit. Deputetit të PD-së, i cili dy vite më parë, është dënuar nga një gjykatë shqiptare(çudi si s’e ka kapur ligji i dekriminalizimit) si fajtor për një inskenim me rëndësi të madhe dhe që ka sjellë pasoja të rënda ligjore.

Kanë kaluar katër vjet nga nisja e kësaj historie, ndaj ja vlen për të sjellë sot thelbin e asaj ngjarjeje që sot ka “bashkuar” Partinë Demokratike vetëm për një ditë, e që në fakt përbën një bashkim për të ndihmuar Ervinin, shokun e tyre. Katër vjet më parë, Partia Demokratike publikoi një përgjim telefonik, sipas të cilës njerëzit që po flisnin ishin një trafikant i njohur me nofkën “Babalja” i cili emrin e ka Albert Veliu dhe vëllai i ministrit të Brendshëm të kohës Fatmir Xhafa. Në audiopërgjim flitej për përgjim.

PD e hodhi atë “audiopërgjim” në tregun e egër mediatik në vend ku shpërthyen portalet dhe emisionet e darkës. Flitej për “dëshmitarin X” ku përmendej Babalja, që sipas gazetarëve VIP që burimet i “kishin të sigurta” ishte një informator i SHISH. Në fund, pas hetimeve nga prokuroria, Babalja rezultoi që nuk ka folur me vëllain e Fatmir Xhafajt, po me Fred Alizotin-kunatin e tij, i cili u bë bashkëpunëtor i drejtësisë për të treguar ngjarjen. Alizoti, rrëfeu se e gjithë ky makinacion dhe montazh mediatik ishte organizuar e mbështetur nga Ervin Saljanji. Të cilin gjykata e dënoi. Sot pas katër vjetësh, Babalja ka marrë strehim politik, e ku jeton në Belgjikë me familjen, Fredi Alizoti ka marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtjes, Ervin Saljani vazhdon të jetë deputet, e Fatmir Xhafaj u largua nga posti i ministrit të Brendshëm, e është deputet i Partisë Socialiste.

Në thelb çështja ka mbetur në vend, por reflektimi katër vjet më pas duhej të ishte i ndryshëm. Pasi e gjithë kjo histori sado që të mbulohet me retorikë është një nga ngjarjet më pa lavdi të betejës opozitare në vend.

Megjithatë, në kulmin e vapës kur temperaturat kanë shkuar mbi 40 gradë celcius, pra në afshin afrikan, radhët janë ngjitur. Fatos Lubonja, ka thirrur për rrezikun që i kanoset Shqipërisë dhe drejtësisë me dënimin e Saljanjit. Sali Berisha ka kërcënuar gjyqtarët me emër e mbiemër, ç’ka në gjuhën berishjane përbën ultimatum. PD e Alibeajt ka bërë thuajse të njëjtën gjë, duke çuar deputetët në seancën e Apelit.

Gjyqtarët, në mënyrë elegante kanë shtyrë seancën, çka është një sinjal shpresëdhënës se ata nuk do të marrin vendim në presion. Tani për ta qartësuar situatën: Duhet të shpëtojmë ushtarin Ervin? Kjo edhe mund të bëhet, nëse mbështetësit e tij dhe ky i fundit bëjnë të ditur se e ka hartuar gjithë këtë mesele ma dashje, është penduar, e nuk do ta përsërisë më. Me këtë mënyrë, trupi gjyqësor, mund të marrë vendim se ndoshta Saljjanji nuk ka qenë në kushtet e duhura psiqike për të vendosur. Pasi edhe katër vjet më parë, thuajse temperaturat kanë arritur në verë këtë nivel, edhe pse videopërgjimi është kryer në vjeshtën e vonë.

Po për të nxjerrë përfundimin se po ishte një montim i inspekuar, por e gjitha u bë për të rrëzuar qeverinë e shkarkuar Fatmir Xhafën, duhet marrë një vendim për të ndëshkuar montimin. Opozita mund të bëjë një mocion për të shfajësuar Saljanjin, pasi mund të rendisë rrethana lehtësuese politike e psikologjike, por këtë duhet ta bëjë me kujdes. Pasi ka një ves të vjetër, ku kundërshtarët sulmohen si “të sëmurë mendorë”. E nëse vërtetë Rama me shokë janë të sëmurë mendorë, opozitarët duhet të sillen me kujdes ndaj tyre, ndryshe i diskriminojnë, e ky është realisht një shkelje e Kodit Penal. Si puna e Babales. E në fakt ka një “dritare” që mund të shfajësohet Saljanji, nëse i bashkohet edhe diskursit për të cilin Babalja mori azilin politik. Të thojë se “ishte shumë vapë atëherë, edhe pse në vjeshtë, e gjërat morën rrjedhë të ndryshme. Unë shkoj në televizione te zonja Eni e i thoja që është montazh, por ajo më kthehej: kjo është perlë do na mbysë audiencën. Do e bëjmë telenovelë. Njëjtë Fevziu dhe të tjerët. Nuk e kisha fajin unë, por vapa dhe panelistët”. Atëherë ndoshta realisht bëhet diçka…