Në Njësinë 4 në Tiranë, ku u zhvillua takimi i radhës i socialistëve për shpalosjen e platformave të kandidatëve të rinj për kryetar, drejtuesi politik i PS për Qarkun, Erion Veliaj, tha se riorganizimi i strukturave që po ndodh sot, i shërben përgatitjes për fitoren në betejën e radhës në zgjedhjet vendore të 2023.

Duke sjellë shembullin e fqinjëve tanë, të cilët nuk arrijnë dot në vendimmarrje as për çështje të rëndësishme, siç ishte ngërçi më i fundit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Veliaj tha se partia Socialiste duhet të rikonfirmojë mazhorancë të qartë me mbi 50% të mbështetjes në elektorat, si e vetmja garanci që vendi nuk do varet më nga partiçka që bëhen pengesë për çdo projekt.

Tregu i ri ushqimor publik në Farkë, Veliaj: Thyejmë monopolin e privatit, tregu do të jetë shumicë dhe pakicë! Fermerët do të tregtojnë me çmime shumë më të lira

“Dikush mund të thotë se ne i kemi bërë punët kryesore në Tiranë dhe pyet a ka nevojë ta kemi këtë shumicë?” Patjetër që po! Shikoni çfarë po ndodh në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari. Në Bullgari, vjet u bënë 4 procese zgjedhore, se populli aty nuk e ndante dot mendjen se cila parti duhet të kishte mazhorancën. Pas 4 zgjedhjeve u formua një koalicion me shumë parti, por sapo erdhi tema e parë e rëndësishme, siç ishte çështja e Maqedonisë së Veriut, nuk bënin dot numrat në Parlament për të votuar a duhet ta heqin veton ndaj Maqedonisë, që edhe Shqipëria të futet në BE. Shikoni Maqedoninë e Veriut – edhe ata janë një koalicion me shumë parti.

Pasi u hoq vetoja nga Bullgaria, ata duhet të pyesin Parlamentin e tyre: “A jemi dakord me heqjen e vetos me kushtin që na kanë vënë?” Pra, kur nuk ke shumicën, kur nuk e ke në dorë vendimmarrjen, kur nuk e ke timonin, kur nuk ke lidershipin me autorizim të plotë nga populli për të marrë vendime, ne jo vetëm s’do ta kishim ndërtuar dot shkollën “Ardian Klosi” apo lagjen e re te “5 Maji”, por ta harrojmë se do mund të bënim ndonjë punë në Tiranë”, u shpreh Veliaj.

Ai vuri në dukje se Tirana nuk e kishte këtë ritëm që ka sot, kur dikur çdo vendim i Parlamentit kushtëzohej nga partitë e vogla. “E mbaj mend atë kohë kur na kryqëzonin në Parlament partiçka të vogla, që na duheshin për të bërë shumicën. Tirana nuk kishte të njëjtin ritëm. Ky ritëm na vjen sot se Edi Rama, Partia Socialiste, ka mandat të plotë për të ecur përpara. Ne duhet të jemi gjithmonë më shumë se gjysma, për t’u siguruar që jemi edhe më shumë sesa gjithë të tjerët. Filozofia jonë është të rritemi si familje. Por nëse filozofia jonë është të rritemi, kundërshtarët tanë kanë pakësimin. Thonë: ‘të heqim këtë se është i Lulit, të heqim atë tjetrin se është i Saliut, kurse ky është i “Foltores”, ky tjetri është i varesë, ai i kundragazit, ky i gazit lotsjellës’. Nuk jam këtu duke qarë hallin e tyre, copë e çikë u bëfshin, se nuk janë filozofia jonë dhe nuk kanë bërë asgjë për këtë qytet. Thjesht, po them se, edhe me procesin e zgjedhjes së kryetarëve nëpër njësi po japim mesazhin se PS është një parti e hapur, një parti që jo vetëm nuk është lodhur, por përkundrazi, po i shton forcat më shumë për atë që do të jetë e treta e vërteta për Tiranën”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se Partia Socialiste synon që në zgjedhjet e ardhshme, jo vetëm t’i fitojë ato, por të dalë me rezultat të mirë në të gjithë Tiranën.